Alesandro Ahmetaj është një ndër shqiptarët më të talentuar në qarkullim dhe duket se do të ketë një karrierë të madhe përpara.
Jo rastësisht, mesfushori i ditëlindjes 2000 është pjesë e kombëtares italiane U-17 dhe prej kohësh kërkohet me ngulm nga shumë klube.
Ditët e fundit Interi e Juventusi, por edhe Xhenoa, kanë tentuar në çdo mënyrë t’ia rrëmbejnë Çezenës, por në fund garën e ka fituar Sasuolo.
Me sa duket, oferta e Sasuolos ka qenë shumë më e mirë se ajo e gjigantëve të futbollit italian, sepse edhe vetë Ahmetaj ka zgjedhur Sasuolon.
“Kam shumë gjëra për të thënë, por nuk ka fjalë më të bukur se thjesht faleminderit për Çezenën, që ka besuar tek unë, më ka rritur si person dhe si futbollist. Kam kaluar 7 vite e gjysmë te Çezena dhe tashmë me keqardhje duhet të ndahem nga shtëpia ime e dytë. Largohem me lot në sy, duke kujtuar emocionet e paharrueshme që kam përjetuar këtu, që fëmijë. FALEMINDERIT, do të mbeteni gjithmonë në zemrën time. Tani nis aventura ime e re me Sasuolon”, shkruan Ahmetaj në rrjetet sociale.