Sançez “shpëton” Murinjon, përmbysje e çmendur ndaj Njukasëll

Zhose Murinjo duket se ia hedh paq. Mançester Junajtid merr një fitore me një përmbysje të çmendur brenda 20 minutave dhe për momentin tekniku portugez duket se do të marrë fryme lirisht. 3-2 ndaj Njukasëll, ku Aleksis Sançez shfaqet si hero.

Në “Old Traford” pasditja nisi e errët që në dhjetë minutat e para. Vetëm kaq iu desh miqve nga Njukasëll për të tundur rrjetën e De Geas dy herë. Kenedi në minutën e shtatë dhe Muto tre minuta më pas i dhanë avantazhin e dyfishtë të besuarve të Rafa Benitez. Një Mançester që në pjesën e parë vijoi të kishte probleme dhe rrezikoi të pësonte dhe golin e tretë.

Gjithsesi “djajtë e kuq” erdhën në pjesën e dytë me një marsh tjetër. Futja e Felainit dhe Sançez në fraksionin e dytë, si dhe aktivizimi i Huan Matas më herët i dhanë një fytyrë tjetër lojës së Junajtid. Ishte pikërisht spanjolli Mata, i cili me anë të një ekzekutimi perfekt të një goditje dënimi shkurtoi diferencën e golave në 1-2. Vetëm gjashtë minuta më vonë, konkretisht në minutën e 76-të, pas një kombinimi të bukur mes Pogba dhe Marsial, ishte ky i fundit i cili shënoi golin e barazimit për Mançesterin.

Të besuarit e Zhose Murinjos provuan deri në fund përmbysjen dhe u shpërblyen në minutën e fundit të kohës së rregullt. Pikërisht i shumëpërfoluri dhe njëkohësisht lojtari më i paguar i ekipit, Aleksis Sançez, shënoi golin e fitores. Pas një krosimi nga e djathta, ishte kiliani që kërceu mbi të gjithë dhe i dha fitoren ekipit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *