Pas një periudhe dy-vjeçare me Skënderbeun në Superligë, Hamdi Salihi ka vendosur të kthehet në Austri. Ai do ta mbyllë karrierën në këtë vend, ku më parë ka luajtur me Riedin dhe Rapidin e Vjenës.
Sulmuesi shkodran mësohet se ka një ofertë nga një ekip austriak i kategorisë së dytë, emri i të cilit nuk është bërë i ditur ende. Risia qëndron në faktin se Hamdi Salihi në të njëjtën kohë mund të bëjë edhe trajnerin, duke stërvitur një ekip moshash. Vetëm pak ditë më parë ai u pajis me licencën për trajner, kështu që duket se i ka menduar gjërat mjaft mirë. Veterani, ish-lojtar i Kombëtares, dëshiron të jetë sa më pranë familjes së tij, që jeton në Vjenë, ndaj dhe pas pezullimit që mori nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për grisjen e kartonit të kuq në Kukës, deklaroi se ishte fundi për të në futbollin shqiptar.
Në këto kushte, largimi i tij nga Skënderbeu është thuajse zyrtar dhe mbetet vetëm të mësohet emri i ekipit austriak, ku shkodrani do të ketë stacionin e fundit të karrierës së tij të futbollit të luajtur. “Bomberi” ka lënë gjurmë të thella në kampionatin tonë, ku ka veshur fanellat e Vllaznisë, Tiranës dhe Skënderbeut, por edhe me Kombëtaren ka qenë një nga lojtarët më të mirë. Në Korçë erdhi dy sezone më parë, pas ftesës së drejtuesve të Skënderbeut për ta pasur në Kupat e Europës. Më pas bashkëpunimi vazhdoi për dy sezone dhe sulmuesi, veçanërisht në sezonin e parë, ishte vendimtar me golat e tij. Një lojtar tepër profesionist, i cili ka marrë gjithmonë vlerësime për atë që ka dhënë në fushë, ashtu si dhe për sjelljen e tij shembullore. Një personazh shumë i dashur jo vetëm për tifozët korçarë dhe ata shkodranë. Fitoi një titull me Skënderbeu dhe ishte shumë i rëndësishëm për kalimin e tij historik në grupet e Europa League. Ai shënoi gola me peshë në ndeshjet kualifikuese të Championsit ndaj Milsamit. Me atë kualifikim korçarët siguruan grupet e Europa League, ndërsa ëndrrën e grupeve të Championsit ua ndali Dinamo e Zagrebit.