Kili mposhti Ekuadorin 2-1 dhe siguroi fitoren e dytë në Kupën e Amerikës, duke u kualifikuar më tej. Aleksi Sançez shënoi golin e fitores, duke ngjitur Kilin në krye me gjashtë pikë dhe duke shënuar golin numër 41 me kombëtaren e tij.
Sezoni me Mançester Junajtid ishte për t’u harruar. Vetëm një gol shënoi 30-vjeçari, i cili është lojtari më i paguar i “Djajve të Kuq”. Gjatë sfidës së orëve të para të mëngjesit, Sançez pësoi një dëmtim, por sakrifica dhe dashuria e madhe për Kilin e tij mposhtën çdo dhimbje.
“U dëmtova në kavilje kundër Ekuadorit, por vazhdova lojën prej dashurisë së madhe që kam për kombëtaren. Jam gjithmonë i lumtur kur luaj për vendin tim, gjithmonë”, thekson sulmuesi, i cili “thumbon” në një farë mënyrë edhe klubin e tij.