Për Antonio Markun, sfida e djeshme ka pasur një të veçantë. Dëmtimi që ka pasur në gju e la rreth 3 muaj pa stërvitje, ndërkohë që vetëm 16 ditë më parë kishte kryer operacionin në meniskun e gjurit të djathtë. As 4 ditë nuk kishte, që kishte hequr penjtë në gju, por, duke parë situatën problematike të mungesave në kontigjentin e Vllaznisë, shprehu dëshirën të sakrifikojë për skuadrën.
Pas konsultave, mëngjarashi i mbrojtjes kuqeblu u paraqit në seancën e fundit stërvitore në Ulqin, më pas kreu edhe stërvitjen e fundit në stadiumin “Loro Boriçi”, duke fituar besimin e stafit teknik dhe atij mjekësor për ta pasur në dispozicion në rast nevoje gjatë ndeshjes. Dhe ai moment erdhi, kur Tafili dëmtohet në minutën e 75-të dhe trajneri Cungu e ka hedhur në fushë. Minuta këto, që bashkë me ato 6 të shtesës, i përballoi me sukses, duke dhënë kontributin e tij në krahun e majtë të mbrojtjes. Për këtë gjë mori vlerësime nga publiku, por edhe drejtuesit e klubit. Ishte kreu i klubit kuqeblu, administratori Astrit Gjyrezi, i cili përgëzoi djemtë shkodranë që kontribuuan për ekipin, po u ndal edhe te sakrifica e mbrojtësit Marku. “Gjej rastin ta falënderoj Antonion, i cili vinte nga një dëmtim i gjatë. Me insistimin e tij, ndoshta edhe jashtë dëshirave tona, duke e pyetur disa herë për gjendjen e tij, u fut në lojë dhe na dha siguri gjatë minutave të fundit. Arritëm të mbanim barazimin, që për ne ishte fitore. Atë prisnim dhe kërkonim në këtë ndeshje”, – u shpreh Gjyrezi.
Edhe trajneri Cungu ka vlerësuar mbrojtësin shkodran: “Një falënderim i veçantë shkon për Antonio Markun, një djalë i mrekullueshëm, që kishte 3 muaj pa prekur top me këmbë, kishte vetëm dy javë që u operua, por më kërkoi të bashkohej me ekipin. Ai më tha: “Profesor, për ty dhe për Vllazninë, dua të luaj. Edhe sikur ta pres këmbën. Dua të jem me skuadrën në këtë moment”. Ai luajti dhe sakrifikoi për disa minuta në këtë ndeshje, duke dhënë më të mirën. Futbollistë si ai meritojnë respekt për sakrificën dhe atë çfarë japin për Vllazninë”, – u shpreh Cungu për mbrojtësin Marku.