Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, është shfaqur sot para gazetarëve, për të hedhur dritë edhe mbi gjendjen e tij shëndetësore, sepse dy ditët e fundit ka qenë i sëmurë. “Kam pasur probleme gripale, nuk jam në maksimum dhe nuk mund të stërvitem, por do të flasim me stafin dhe do të shohim deri ditën e shtunë. Kam folur me trajnerin, do të shohim në ditët në vazhdim si do të jem, pastaj do të vendosim nëse do të luaj. Nëse nuk luaj? Nuk e di kush mund të më zëvendësojë, është çështje që i përket trajnerit. Latifi? Mendoj se mund të më zëvendësojë, ka treguar se di ta bëjë sulmuesin dhe është një lojtar në formë të shkëlqyer, që është paraqitur shumë mirë edhe këtë verë në kupat e Europës.
Për rivalin e së shtunës: “Lihtenshtejni duhet marrë seriozisht, ndryshe nga ndeshja me Luksemburgun, ndeshje që tregoi se nuk ka skuadra inferiore.
Legia dhe fillimi jo i mirë, me eliminim në Champions: “Nuk është se kam kaluar unë një moment të vështirë, ka qenë një periudhë e vështirë për gjithë skuadrën. Kemi luajtur shumë ndeshje në një muaj e gjysmë dhe na goditi edhe eliminimi nga Champions League, por e kemi kaluar, kemi fituar 3 ndeshjet e fundit.
Rekordi i golave në kombëtare: “Unë mundohem gjithnjë të shënoj, pastaj rekordet nuk kanë shumë rëndësi, nëse kaloj Bogdanin apo jo.
Skema me një sulmues në kombëtare: “Varet edhe nga rivali që kemi përballë, ne jemi kombëtare e vogël, nuk luajmë dot gjithmonë me dy sulmues, edhe pse e kam thënë edhe më parë që me një sulmues në krahun tim do e kisha më të lehtë. De Biazi preferonte të luante me një sulmues dhe luaja i vetëm, por nuk ka qenë problem për mua.
Maqedonia: “Na çojnë në një stadium më të vogël sepse kanë frikë se do të mbushet stadiumi me shqiptarë. Ne do të shkojmë atje me kokën lart, si një grup i pjekur dhe që luan prej vitesh bashkë. Do të shkojmë për fitore.
Komunikim me Ezgjan Alioskin, yllin e Maqedonisë, me të cilin shkëlqeu sezonin e fundit te Lugano? “Po, flas shpesh me të. Me shaka i kam thënë që kur të shënoj unë do të bëjmë bashkë gjestin e hedhjes së kripës. Edhe Alioski e di që jemi superiorë. Vuajtëm në Shqipëri, e vërtetë, sepse Maqedonia nuk është ekip i keq, ka lojtarë të mirë dhe është ekip i rrezikshëm”.