Nuk ndalet më Kukësi, sepse tashmë ka mbyllur edhe përforcimet e radhës. Pas Hair Zeqirit dhe spanjollit Alberto Serran, sot pritet të firmosin dhe dy afrimet e radhës. Mesfushori Siraj Naser dhe mbrojtësi Rustem Hoxha do të hedhin sot të zezën mbi të bardhë, për t’u bërë kështu zyrtarisht lojtarë të Kukësit.
NASER – Mesfushori Siraj Naser është praktikisht i Kukësit dhe nesër klubi do ta zyrtarizojë si afrimin e radhës. Ashtu si “Sport Ekspres” bëri me dije ditën e djeshme, Naser ishte në bisedime të avancuara me Kukësin. 26-vjeçari është një dëshirë e trajnerit Ernest Gjoka dhe afrimi i tij në skuadër do të ishte një përforcim me shumë vlerë. Për gjashtë sezone është aktivizuar në kampionët e Hapoel Beer Shevas, duke zhvilluar plot 162 takime dhe realizuar 21 gola.
Në sezonin 2015/16 u aktivizua me Hapoelin e Tel Avivit, ndërsa sezonin e fundit ka luajtur me Bnei Sahnin, ku është aktivizuar në 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 2 gola e dhënë 3 asiste. Bnei Sahnin e mbylli kampionatin në vendin e pestë.
Bëhet fjalë për një anësor të majtë, i aftë të ndihmojë sulmin dhe mbrojtjen, ndërsa ka një teknikë të nivelit të lartë.
Kërkesat financiare të futbollistit ishin të larta, por është gjetur marrëveshja që ka kënaqur të gjitha palët dhe brenda pak ditësh mesfushori do të jetë në Shqipëri.
HOXHA – Prej ditësh kishin nisur tratativat me ish-kapitenin e Teutës, i cili tashmë do të jetë një lojtar i Kukësit. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është arritur dhe marrëveshja mes palëve dhe 25-vjeçari do të prezantohet sot. Me këtë afrim Kukësi blindon dhe prapavijën, pasi tashmë reparti i mbrojtjes ka mjaft alternativa. Me Rrumbullakun, Hallaçin, Shametin, Serran, Hoxhën, Meminin, Pashajn dhe Imamin duket se gjithçka është kompletuar.