Kastrioti pësoi një disfatë ditën e sotme në ndeshjen me Partizanin, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, e cila përfundoi me shifrat 2-4. Në përfundim të sfidës, zëvendëstrajneri i ekipit krutan, Shkëlzen Rustami, ka dalë përpara mediave, ku ka folur për ndeshjen si dhe për ndeshjen e fundjavës, ku Kastrioti do të luajë një duel mbijetese me Luftëtarin.
NDESHJA – “E kishim vlerësuar ndeshjen dhe e nisëm me formacion të plotë. Filloi mirë dhe shënuam. Gjithsesi dihet që objektivat tona i kemi në kampionat dhe vëmendja është te ndeshje me Luftëtarin. Nga ana tjetër edhe Partizani synon trofeun, kështu që nuk kishim shumë shpresa për të bërë më shumë. Ndoshta mund të pretendonim diçka më tepër meqë shënuam të parët, por qëllimi ynë është të marrim rezultat pozitiv në Gjirokastër”.
EKIPI – “Ka qenë problem numri i madh i largimeve. Kanë ikur 12 lojtarë, presim një portier dhe një qendërmbrojtës. Gjithashtu edhe ndonjë tjetër. Duam qëndrimin në Superiore. Terreni dhe kundërshtari normal e bënin të vështirë sot me Partizanin. Ndeshja me Luftëtarin është shumë e rëndësishme dhe po mendojmë vetëm për të”.