Uejn Runi është kthyer tek Evertoni dhe në Liverpul është në shtëpi, ku ndihet si mbret, ndoshta duke e tepruar edhe me sjelljen dhe vetësigurinë.
Pasi e ka mbyllur me kombëtaren angleze, 31-vjeçari po shijon pak ditë pushim nga Evertoni, për shkak të ndërprerjes së kampionatit nga ndeshjet e kombëtareve.
Megjithatë, Runi e ka tepruar, sepse ka qenë duke festuar në një bar, ‘Bubble Room’ në Alderley Edge, dhe sipas shtypit britanik, ka qenë duke kërcyer edhe mbi tavolina.
Pas festës Runi u largua me automjetin e tij, por ishte dukshëm i pirë dhe kjo i ka kushtuar shtrenjtë. Policia e ka ndalur gjatë kthimit për në shtëpi dhe pasi janë bërë testet për përqindjen e alkoolit, Runi e ka pësuar, sepse ka qenë dukshëm mbi normat.
Menjëherë ndalim dhe shoqërim në polici, heqje patente dhe qëndrim në polici për disa orë. Natyrisht, është Uejn Runi, nuk e fut njeri në burg, por sulmuesi nuk i shpëton dot gjobës së rëndë dhe ndoshta do t’i hiqet patenta për një kohë të gjatë.