Karl Hainc Rumenige ka folur për “Sport 1”, duke prekur tema të ndryshme. Shefi ekzekutiv i Bajernit të Mynihut komenton formën jo të mirë të ekipit të Kovaç. Në ekip kanë ardhur lojtarë të rinj, por gjigantët gjermanë janë gati për të ndërhyrë në merkato.
Besnikë të stilit të tyre, pa shpenzime të ekzagjeruara, edhe pse Bajerni gëzon një shëndet të shkëlqyer financiar. Një mendim për Hames Rodrigez, Oliver Kahn, i cili shihet si pasardhësi i Hënes në postin e presidentit, dhe në fund incidenti i Frenk Riberi me gazetarin francez.
FORMA – “Kemi një skuadër shumë të mirë dhe situata nuk është kaq dramatike. Të mos harrojmë se para gjashtë muajsh fituam titullin me 21 pikë diferencë me vendin e dytë. Sivjet kanë ardhur lojtarë të rinj si: Gorecka, Sançes dhe Gnabri. Do të futemi në merkato në janar, ose në verë. Paratë nuk na mungojnë dhe nuk janë problem për ne, Salihamixhiç po bën një punë të mirë dhe jam tepër i qetë.”
MERKATO – “Vitin e kaluar tregu u ‘çmend’. U shpenzuan shifra të mëdha për Nejmar dhe Mbape, por në jemi Bajerni dhe ndjekim filozofinë tonë. Ne marrim vendime racionale dhe i qëndrojmë besnikë stilit tonë. Nuk do të futemi kurrë në ankande dhe nuk do të shpenzojmë kurrë shifra si në rastin e Nejmar.”
KAHN – “Nuk e kam takuar prej kohësh dhe nuk i di planet e tij për të ardhmen. Këto janë çështje personale dhe vendosen nga bordi drejtues i klubit. E ardhmja ime? Uli (Hënes) dhe bordi më kanë kërkuar të rinovoj dhe do e bëj së shpejti një gjë të tillë.”
HAMES – “Ai ishte ndër më të mirët dhe sezonin e kaluar zhvilloi një sezon fantastik. Nuk e harroj paraqitjen kundër Realit në Champions. Ai është një lojtar i mrekullueshëm, por fatkeqësisht është dëmtuar dhe nuk do të luajë deri në janar. Kemi një opsion për blerjen e tij, por ka kohë pasi mund të veprojmë deri në 15 qershor të vitit të ardhshëm. Është herët për të folur për këtë çështje. Nuk duam të nxitohemi dhe do të marrim vendimin e duhur në kohën e duhur.”
RIBERI – “Incidenti i Frenk me gazetarin na bëri të ndiheshim keq. Mendoj se kjo gjë ndodhi për shkak të gjendjes së rëndë emocionale, si pasojë e humbjes kundër Dortmundit. Frenk ishte i tensionuar, por kërkoi falje dhe kjo histori është mbyllur.”