Haris Harba e mbylli me Kukësin pa përfunduar pjesa e parë e sezonit dhe tanimë synon të nënshkruajë në Çeki, ku edhe është aktivizuar më parë. Momentalisht po i nënshtrohet një testi te Slovacko dhe do të jetë stafi teknik dhe drejtuesit e klubit çek që do të ndërmarrin vendimin final për të ardhmen e boshnjakut.
Në vitin 2016 Harba u largua nga Çekia, pas një eksperience me Zlin dhe provoi të luante në Turqi, Kore dhe Serbi. Më pas e bindi Kukësi. Tre vitet e fundit ai e pranon se nuk ka qenë i lumtur: “Nuk kam përjetuar një periudhë të mirë, kjo për shkak se kam luajtur pak. Kudo që kam shkuar kam qenë një zgjedhje e dytë për trajnerët”.
EKSPERIENCA TE KUKËSI – “U largova një muaj e gjysmë para se të mbaronte kampionati. Kam shkuar atje me një trajner austriak (i referohet Peter Pakult), por pas ndeshjes së parë ai pati probleme me presidentin dhe u largua. Pas tij erdhi një trajner shqiptar. Luajta në dy ndeshje të Europës, shënova, pastaj luajta edhe në dy takime të kampionatit. E nisa mirë, por më pas përfundova në stol”, tregon sulmuesi për “Idnes.cz”.
E ARDHMJA – Dëshira është që të kthehet në Çeki dhe Harba në intervistën e tij thekson se aty është niveli më i lartë profesional, krahasuar me ligat e tjera ku është aktivizuar në të shkuarën. Kalimi te Slovacko nuk është se do të pritet mirë, kur dihet rivaliteti që ky klub ka me Zlin, ish-ekipin e tij.
Si profesionist sulmuesi normalisht që do të bëjë më të mirën nëse firmos te Slovacko. “Është interesante, sigurisht. Nëse qëndroj do të luftoj për ekipin tim. Çfarë ka ndodhur në të shkuarën do të mbetet histori”.
ZHGËNJIMI – Harba ka zbuluar edhe se në cilin ekip ka marrë zhgënjimin më të madh: “Turqia ishte bukur në fillim. Luajta rreth 10 ndeshje atje dhe më pas ndryshoi trajneri e nuk luajta fare. Keqardhja më e madhe? Kur isha në Kore, nuk luaja fare. Trajneri më zgjodhi mua nga pesë lojtarë, shkova dhe luajta ndeshjen e parë. Trajneri më tha se nuk më kishte në plane dhe donte të ndërpriste kontratën. Nga pikëpamja financiare ishte mirë, kam fituar diçka”.