Samir Handanoviç ka nisur sezonin e shtatë me Interin, që nga koha kur u transferua nga ekipi i Udinezes. Portieri slloven ka folur për “Matchday Programme”, ku tregon detaje interesante nga jeta e tij.
SHAHU – “Më pëlqen shumë. Kur kam kohë të lirë, futem në internet dhe luaj me kundërshtarë të ndryshëm. Jam i apasionuar pas lojës së shahut dhe të gjithë në familjen time e luajmë si lojë.”
INTER – “Arrita në Itali shumë i ri dhe, fatmirësisht, nuk isha shumë larg Sllovenisë. Kjo gjë më ndihmoi shumë të përshtatem, sidomos në fillim. Pastaj kalova tek Inter, që e cilësoj si shtëpinë time. Kur stërvitem, nuk e ndjej kurrë peshën e lodhjes. Ambienti është shumë familjar: shokët, stafi, tifozët. Të jem këtu është një krenari e madhe për mua.”
IDHULLI – “Kur isha më i ri, më pëlqente Shmajkëll, i cili ishte ndër më të mirët në botë mes shtyllave.”
HIMNI – “Kur dëgjoj ‘Pazza Inter’, jam gati për të dhënë gjithçka. Stadiumi ynë është magjepsës, unik dhe plot adrenalinë.”
FAMILJA – “Nuk e harroj ndeshjen e parë që kam parë në vendin tim. Ishim mbledhur të gjithë bashkë dhe po shihnim një ndeshje të kushëririt tim, i cili është gjashtë vite më i madh. Vazhdojmë të mblidhemi prapë bashkë dhe luajmë volejboll, ose basketboll. Është një mënyrë që na bën të relaksohemi. Kur kam kohë të lirë, luaj gjithmonë më fëmijët e mi.”