Kristiano Ronaldo largohet nga Spanja duke paguar. Ylli portugez është dënuar dy vjet me kusht, pasi ka pranuar akuzat për evazion fiskal dhe do të paguajë rreth 20 milionë euro për të shmangur burgun.
Bëhet fjalë për 4 akuza në lidhje me periudhën 2011-2014, ndërsa gjyqi ka vazhduar për shumë kohë, derisa u arrit marrëveshja.
Para pak javësh autoritetet spanjolle vënë të ditur se Ronaldo duhej të paguante, sipas ligjit, për të mbyllur telashet ligjore, ndaj Ronaldo është detyruar të pranojë vendimin dhe të paguajë, edhe pse gjithnjë ka këmbëngulur për pafajësinë e tij.
Në Spanjë evazioni fiskal i yjeve të futbollit nuk është një histori e re, sepse shumë futbollistë kanë gjetur shtigje për të fshehur të ardhurat e tyre, por tashmë gjithçka po zbulohet dhe vitin e shkuar edhe Lionel Mesi u shpall fajtor, duke u dënuar 21 muaj me kusht, për fshehje të ardhurash, çka i ka kushtuar një gjobë të majme, ashtu si Ronaldos.