Lionel Mesi, me dygolëshin e shënuar në fitoren 3-0 ndaj Liverpulit, arriti të barazojë Ronaldon përsa i përket golave në rang klubesh. Të dy yjet e padiskutueshëm kanë kapur shifrën e 600 golave. Numra të frikshëm që nuk arriheshin që nga koha e Pele, Gerd Myler apo Di Stefano. Dy lojtarët kanë dominuar arenën e futbollit prej më shumë se një dekade.
Trajneri i portugezit te Juventusi, Masiliano Alegri ka komentuar dygolëshin e Mesit në mbrëmjen e djeshme. Ai mendon se arritjet e Mesit e frymëzojnë Ronaldon, në mënyrë që portugezi të rrisë nivelin e tij të përformancës. “Mesi është një stimul i mirë për Ronaldon. 600 golat e Leos kanë hapur një duel mes tyre. Kristiano do të frymëzohet për të ecur përpara në synimin e tij për të përfunduar si golashënuesi më i mirë i Serisë A”, u shpreh Alegri.