Roma konfirmohet si e pathyeshme në “San Paolo”, teksa ndeshja ndaj Napolit u mbyll në barazim 1-1. Të kaltrit nuk triumfojnë ndaj verdhekuqve në shtëpi, që nga nëntori i vitit 2014, kur fitonin në atë kohë me shifrat 2-0. Ndeshja e sotme u mbyll në barazim, që erdhi në minutën e 90-të, me anë të Mertens, i cili iu përgjigj golit të El Sharauit në pjesën e parë.
Pjesa e parë nisi mirë për kryeqytetasit, të cilët arritën të gjenin avantazhin pas 14 minutash lojë. Një konfuzion në mbrojtjen e Napolit, pas një topi të hedhur në zonë nga Ynder, gjeti të lirë Stefan El Sharauin, i cili nuk gaboi përballë Ospinës, duke çuar në avantazh të tijtë. Napoli u mundua të reagonte shpejt, por rastet e të besuarve të Ançelotit u neutralizuan mjaft mirë nga portieri Olsen.
Në fraksionin e dytë napoletanët e rritën akoma shumë presionin, por arritën të konkretizonin vetëm në fund të lojës, ku Mertens ishte në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Pas një topi të goditur keq nga Kajehon, ishte pikërisht sulmuesi belg, i cili përfioi për të shënuar golin e barazimit.
Ndërkohë, Hysaj e nisi si titullar sfidën, por në minutën e 70-të u zëvendësua me francezin Malkuit. Një paraqitje jo e kënaqshme nga mbrojtësi ynë, i cili mund të bëntë ndoshta më shumë në golin e pësuar.
Ekipi i Ançelotit bën një hap fals dhe zgjeron hendekun me Juventusin në 6 pikë, ndërkohë Roma ndodhet në vendin e tetë, në kuotën e 15 pikëve. Ndeshjen e ardhshme, Napoli do të presë Empolin në “San Paolo”, ndërsa Roma do të jetë përsëri në transfertë, ku do të udhëtojë drejt Firences, për t’u përballër me Fiorentinën.