Roma gjen zëvendësuesin e Strotman, akord me mesfushorin meksikan

Largimi i Kevin Strotman drejt Marsejës ka lënë një boshllëk në mesfushën e Romës, por drejtori sportiv i klubit, Monki, ka gjetur lojtarin e duhur për të përforcuar mesfushën e Di Françeskos. Objektivi i Monkit është Hektor Herrera, i cili luan me ekipin e Portos. Ai e ndjek prej kohësh 28-vjeçarin meksikan, të cilit i skadon kontrata në verën e ardhshme me Porton.

Herrera ka refuzuar katër herë rinovimin me ekipin portugez dhe është gati për të provuar një eksperiencë të re. Klube angleze dhe spanjolle janë të interesuar për lojtarin, por Roma është në avantazh. Meksikanit i pëlqen të luajë në Itali dhe ka sinjalizuar agjentin e tij të nisë bisedimet me klubin italian.

Palët kanë arritur akordin për në qershor, kur mesfushori del lojtar i lirë, por Roma do të provojë ta marrë në janar. Klauzola e tij është 40 milionë euro, por Porto e ka të qartë se nuk mund të përfitojë atë shumë, kur kontrata e lojtarit skadon mbas pak muajsh. Portugezët do të tentojnë të përfitojnë sa më shumë, por Roma mbetet në një pozitë të favorshme, sepse italianët kanë akordin me lojtarin dhe mund të presin verën për ta afruar në ekip pa shpenzuar para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *