Teuta arriti që të përmbyste me sukses Inter Escaldes dhe kaloi në turin e tretë të Conference League. Rruga për durrsakët që janë shpallur kampion në Superiore vazhdon që të jetë e shtruar në këtë kompeticion europian. E favorizuar për shkakun se vinte si e eliminuar nga “Champions League”, skuadra e Martinit ka evituar përballjet e tipit Bazel-Craiova që në fillim. Kundërshtari i radhës për Teutën do të jetë Shamrock.
Ekipi irlandez nuk do të jetë i lehtë për t’u kaluar, por sigurisht që në këtë drejtim nuk mund të ketë ankesa për shortin. Rruga vazhdon të jetë “e shtruar” për Teutën deri në grupet e Conference League. Në ditën e hënë do të hidhet edhe shorti i fundit, atje ku do të njohim rivalët e ekipeve të Superiores në fazën finale. Sigurisht që gjithçka do të marrë kuptim nëse një prej Teutës dhe Laçit do të kalonte më tej, duke mirëpritur edhe variantin që i sheh të dyja në “Play-Off”.
Le të ndalemi pak te rivalët e mundshëm te Teutës. Goglat janë të destinuara për të nxjerrë një prej këtyre rivalëve për durrsakët: “Omonia-Flora Tallin, Mura-Zalgiris, Kairat-Alashkert, Lincoln-Slovan-Bratislava, Neftci-Helsinki”. Por nuk mbyllet me kaq pasi Teuta do të ndeshet me një prej këtyre ekipeve humbëse nëse arrijnë që të kalojnë me sukses Shamrock. Kështu është përcaktuar formula pasi ndeshjet e mësipërme janë për turin e tretë të “Europa League”. Një prej ekipeve humbëse të sipërpërmendura do të jetë njëkohësisht edhe rivali i Teutës, për të lehtësuar edhe më shumë punën.
Në bazë të vlerave në “Transfermarkt”, pjesa më e madhe e këtyre skuadrave vlejnë afërsisht 5-7 milionë euro. Pra janë rivalë tërësisht të përballueshëm edhe në letër, pavarësisht se jemi duke folur për fazën “Play-Off”. Rasti më i keq për Teutën do të ishte nëse Kairat Alamty nuk bën detyrën ndaj Alashkert dhe bie në short me durrsakët. Skuadra kazake vlen më shumë se të gjitha, 21.4 milionë euro, një shifër kjo e njëjta me Craiovën që u dërgua në shtëpi nga Laçi. /Sport Ekspres/