Marash Kumbulla rrit nivelin e lojës me rivalin e fortë, Murinjo e heq nga fusha për të evituar kartonin e kuq

0

Marash Kumbulla e ka nisur si titullar ndeshjen e zhvilluar mes Romës dhe Seviljës. Ekipi i drejtuar nga Murinjo po vazhdon me “provat e vërteta” në këto miqësore duke rritur së tepërmi edhe nivelin e kundërshtarit, ndryshe nga ndeshjet e mëparshme. Takimi ka përfunduar në barazimin pa gola, por sinjale të mira vijnë nga mbrojtësi i Shqipërisë. Kumbulla u aktivizua për 74 minuta në fushën e lojës dhe u ndërrua nga Murinjo për t’u mos ndëshkuar me kartonin e kuq.

Pavarësisht se ishte vetëm miqësore, lojtari shqiptar u pa me dëshirën e madhe që të lërë përshtypje pozitive te trajneri portugez. Për këtë arsye nuk munguan faullet ndaj kundërshtarëve dhe njëkohësisht polemikat me arbitrin, ku do të ndëshkohej me kartonin e verdhë në minutën e 71. Vetëm tre minuta më vonë Murinjo zgjodhi që ta zëvendësonte. Sa i përket performancës së Kumbullës, në fillim ka pasur pak luhatje nga ana e mbrojtësit që nuk ka shfaqur sigurinë maksimale. Por me kalimin e minutave është rritur së tepërmi edhe performanca e tij për të garantuar tërësisht prapavijën me Ibanez.

Ky i fundit ka shkëlqyer pasi ishte thuajse në çdo aksion të Seviljës për të spastruar zonën. Në dyshen e qendrës me Kumbullën u garantua siguria ndaj një rivali me shumë cilësi në fazën sulmuese, por gjithashtu mbrojtësi shqiptar ishte fare pranë golit në fundin e pjesës së parë. Pas një krosimi nga goditja e këndit Kumbulla ka gjetur kohën e duhur për të goditur dhe topi shkoi afër me traversën. /Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.