Kritikat për mendimet që shpreh, shpeshherë të drejta e herë të tjera fare jo, mund të vlejnë, por të diskutosh aspektin sportiv të një lojtari të tillë është absurditet. Flasim për Diego Maradonën, për shumëkënd futbollisti më i mirë i historisë së futbollit.
Argjentinasi është nga ata personazhe, të cilët i dashuron ose urren. Rruga e mesme nuk ekziston për të, por së fundmi dikush e ka akuzuar se në kohën e tij nuk kishte rivalitet. Ai që ekzistonte nuk krahasohet me “rivalitetin” e madh që ekziston sot mes Leo Mesit, Kristiano Ronaldos e të tjerëve me radhë.
Legjenda e Napolit dhe Argjentinës ka reaguar në stilin e tij, si gjithmonë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Diego ka publikuar një foto me “yje” të vërtetë të futbollit të asaj periudhe.
“Si mund të thonë që nuk kam patur rivalë në epokën time? Le të luajnë kundër këtyrë kampionëve: Baxho, Van Basten, Valderrama, Mateus, Haxhi, Stojçkov, Laudrup, Prosineçki, Romario, Futre, Gulit, Shifo, Bokini, Robson, Gonzales, Françeskoli, Kempes, Antonioni, Kubilas, Rumenige, Platini, Ziko, Kigën e shumë të tjerë. Rrespekt nga ana ime dhe për të gjithë”, shkruan “Pibe de Oro”.