Në Nion të Zvicrës po zhvillohet forumi vjetor i organizuar nga UEFA, ku janë të ftuar disa nga trajnerët kryesorë të Europës. Ançeloti (Napoli), Murinjo (Mançester Junajtid), Lopetegui (Real Madrid), Alegri (Juventus), Benitez (Njukasëll), Serxho Konseisao (Porto), Fonseka (Shaktar), Gynesh (Beshiktash), Garsia (Marsejë), Simeone (Atletiko Madrid), Tuhel (PSG) po diskutojnë mbi ndryshimet e mundshme në rregullat e lojës së futbollit.
Mbasi u hodh ideja e heqjes së rëndësisë së golit jashtë fushe, kur rezultati i përgjithshëm i dy ndeshjeve është i barabartë, trajnerët kanë hedhur dhe idenë e kryerjes së zëvendësimit të pestë në ndeshjet me eliminim direkt. Rregulli ndryshoi gjatë Botërorit të Rusisë me futjen e zëvendësimit të katërt në shtesa dhe diçka e tillë do të aplikohet dhe në Championsin e këtij viti.
“Dikush mendon që zëvendësimi i pestë do të ishte i dobishëm, por pa shumë ndërprerje të lojës. Mbetet akoma një ide, por ka dhe nga ata që besojnë se diçka e tillë do të rriste hendekun midis klubeve, që kanë një kontingjent të pasur dhe atyre që nuk e kanë”, shpjegon Xhorxho Marketi, zëvendës sekretari i përgjithshëm i UEFA-s.
Trajnerët kanë hedhur dhe idenë e mbylljes së merkatos në të njëjtën datë në të gjitha kampionatet. Mbi të gjitha, të mbyllet merkato përpara fillimit të kampionateve. Diçka e tillë do të shmangte pabarazinë midis klubeve, që marrin pjesë në të njëjtin kompeticion europian, por me rregulla të ndryshme.