Ernest Gjoka është rikthyer në Superiore dhe trajneri i ri i Kamzës do të debutojë përballë Kukësit. Ndeshja e së dielës ka një rëndësi të madhe për të dyja skuadrat. Gjoka kërkon ta nisë me sukses, ndërsa përballë do të jetë ekipi me të cilin fitoi titullin dy sezone më parë.
Emocion i madh, por ai dëshiron rezultat pozitiv për Kamzën. I tillë është dhe barazimi, pasi pikët duhen për renditjen, por sidomos për anën psikologjike.
PËRBALLJA – “Çdo ndeshje është e vështirë, luajmë kundër një Kukësi me pretendime. Për mua është ndeshje emocionuese, pasi me atë klub kam arritur shumë gjëra. Ky është futbolli, do përplasesh me të gjithë. Nuk ka ndeshje të lehta.”
RIKTHIMI – “Kamza ka lojtarë me cilësi brenda, ka lojtarë me eksperiencë. Kjo më shtyu të marr drejtimin e Kamzës. Mbijetesa? Për sa kohë e kam marrë përsipër, do bëj maksimumin.”
PLAKU – “Do e shikoni nesër në fushë. Ai kudo që luan bën maksimumin. Ka eksperiencë të madhe, si sulmues i dytë ai bën më mirë. Nesër ai do na ndihmojë shumë. Ndryshime në vendosje? Sigurisht që gjërat në këndvështrimin janë ndryshe. Që nesër do shihni skuadrën si e kemi menduar dhe kemi punuar. Jemi munduar të sjellim diçka ndryshe.”
MUNGESAT – “Avdylin duhet ta ngushëllojmë dhe t’i jemi pranë pas asaj që i ndodhi (i ka vdekur vëllai). Portieri është pikë kryesore, por kështu është futbolli. Kur kemi probleme do bëjmë ndryshime. Besojmë te portieri Kirev, i cili ka eksperiencë dhe cilësi.”
KUKËSI – “Është ndeshje emocionuese, e thashë edhe më parë. Kemi bërë histori, për 35 ndeshje nuk humbëm. Ishte meritë e gjithë grupit, bashkë me presidentin Safet Gjici. Është emocion, pasi Kukësi është skuadër që do gjithmonë të jetë në vendet e para. Do kërkojmë të marrim rezultat pozitiv ndaj Kukësi dhe ndaj çdo skuadre. Nuk duhet të humbim, kjo ka rëndësi. Në sport ana mendore është shumë e rëndësishme.”