Odise Roshi i është bashkuar Ahmat Groznit, skuadrës së tij në Rusi. Dëmtimi i ligamentit të gjurit prej muajsh e ka lënë jashtë fushave të blerta anësorin, ndërkohë që për të qenë i gatshëm do të duhet edhe pak kohë. Në një intervistë për “Ora News” ai tregon fillimisht gjendjen aktuale të tij.
“Prej dy ditësh jam i grumbulluar me skuadrën e Ahmat Grozni. Kemi një fazë të gjatë përpara. Tani kujtojmë se në fund të shkurtit nis kampionati. E nisim pak me vonesë, pasi siç dihet temperaturat janë nën minus. Gjendja fizike? Për momentin jam shumë mirë. Dje kam bërë disa teste, të cilat dolën pozitive. Por më duhet edhe pak kohë, besoj 1 muaj që të jem 100%, që të stërvitem me ekipin. Do filloj gradualisht që të futem pak nga pak. Po stërvitem në mënyrë individuale. Po stërvitem edhe me grupin, ato 10-20 minutat e para të stërvitjes, pastaj kaloj individual me trajnerin personal që kam këtu”.
RIKTHIMI – “Kam folur me trajnerin dhe doktorin, ku më kanë thënë se do të jem gati 100%. Nganjëherë nuk i dihet. Varet nga trupi i njeriut. Kur e ndjen futbollisti veten mirë atëherë mund të zbres në fushë. Besoj se para datës 5 do të jem i gatshëm dhe për këtë fakt duhet të jem edhe i gatshëm për ekipin kombëtar.
“E ardhmja? Me thënë të drejtën këtë nuk e di akoma, sepse jam marr vetëm me planin përkatës dhe nuk kam komunikuar as me klubin për kontratën apo diçka tjetër. Thjeshtë dua të kthehem në 100% të formës”.
KOMBËTARJA – “Kontaktet me Panuçin? Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Panuçin por kam pasur me ndihmësit e tij, trajnerin e dytë kam pasur gjithë kohës. Paraqitjet e Shqipërisë? Besoj se nuk ka qenë një kombëtare shumë e mirë, por kemi bërë edhe paraqitje të mira. Kemi bërë edhe paraqitje të këqija si gjithmonë. Por besoj se ka pasur edhe shumë mungesa të disa lojtarëve, që po të ishin do të kishin arritur edhe rezultate më të mira. Shpresojmë që në ndeshjen e parë eliminatore të marrim 3 pikët. pastaj të ecim siç bëmë përballë Portugalisë në Evropian. Morëm 3 pikët e para edhe kaluam. Shpresojmë te e njëjta gjë edhe këtë vit”.