Në futboll gjithnjë ka modele, idhuj për t’u ndjekur, por zakonisht ata janë legjenda të së shkuarës, apo emra shumë të mëdhenj që shihen si heronj nga të rinjtë që duan të bëhen futbollistë me emër.
Nuk është kështu për Riçarlison, brazilianin e Evertonit, i cili e pranon me çiltërsi se idhulli i tij ka qenë dhe mbetet Nejmar, aq sa pas miqësores së fituar 5-0 ndaj El Salvadorit, Riçarlison i dha fanellën yllit të PSG-së për t’i marrë një autograf.
“Shkruajti ‘Të bekoftë zoti, djalosh i artë’. E kam ruajtur fanellën e Nejmarit në atë ndeshje, ashtu si dhe timen. Do t’i mbaj në kornizë, në një dhomë në shtëpinë time, që njerëzit t’i shohin kur të vijnë për vizitë”, tregon Riçarlison, i cili është rritur duke e adhuruar Nejmarin deri në atë pikë sa i kopjonte edhe modelet e flokëve.
Nga qyteti jugor Nova Venecia në Brazil, tek transferimi milioner tek Evertoni dhe tashmë në kombëtare me lojtarin që nga afër e kishte parë vetëm në ëndërr, çfarë mund të dëshirojë më shumë nga jeta Riçarlison? Ah, po, 2 gola në debutimin e tij me kombëtaren, një prej tyre me pasim final nga Nejmar.
“Nejmar ka qenë idhulli im që fëmijë, e kam ndjekur gjithnjë dhe jam munduar ta imitoj në çdo aspekt, nga loja deri te flokët. Doja të imitoja edhe flokët e tij të ngritura lart si indian, por ishte e pamundur, nuk kisha përbërësit e nevojshëm dhe flokët nuk më qëndronin lart. Kur e tregova këtë gjë gjatë grumbullimit me kombëtaren, gjithë skuadra u shkri së qeshuri. Gjithnjë kam parë golat e tij, Ronaldos dhe Adrianos, për t’i imituar sa të mundem në fushë”, tregon 21-vjeçari i Evertonit, i cili 15 muaj më parë ishte një djalosh i panjohur te Fluminense, para se të niste fluturimin, duke kaluar tek Uotford, Everton e më pas kombëtare, si një përgjigje për gjithë ata që i thoshin se nuk kishte shanse në futboll, përfshirë nëna e tij Vera Lucia.
“Kur luajta kundër El Salvadorit, mendova për problemet që kam pasur duke u rritur. Njerëzit më thoshin që nuk do ia dilja mbanë, por ja ku jam, kam besuar gjithmonë në potencialin tim, edhe pse mamaja ime më thoshte të gjeja punë të vërtetë dhe kemi debatuar shpesh. Babai im ka besuar tek unë verbërisht, tani mendoj se është njeriu më krenar në botë”.
Riçarlison e nisi shkëlqyeshëm Premier Ligën këtë sezon, por një karton i kuq në Bornemuth, ku goditi me kokë një kundërshtar, i ka kushtuar disa ndeshje pezullim: “Çfarë ndodhi ishte vendimi im, dola me karton të kuq për një veprim timin. Ishte një ngjarje e çuditshme, sepse unë nuk jam lojtar agresiv. Jam dëshpëruar shumë pas atij kartoni, por kam nxjerrë mësime dhe nuk do të ndodhë më”.