Luftëtari pret Kamzën në shtëpi dhe fitorja është i vetmi objektiv për gjirokastritët. Duhet lënë sa më parë vendi i fundit në renditje, ndërkohë që me një triumf ndaj skuadrës së Klodian Duros do të lihej edhe fundi i renditjes.
Trajneri Gentian Mezani ende nuk e ka grupin e plotë, teksa Eduart Rroca dhe Ivan Jakovljeviç ende nuk kanë debutuar për shkak të dëmtimeve që kanë kaluar. Ata nuk janë gati, ashtu sikurse Albano Aleksi, i cili së fundmi ka bërë një ndërhyrje në gju.
Për të mos mjaftuar mungesa e tij në mesfushë, kundër Kamzës nuk do të jetë në dispozicion të stafit teknik as Behar Ramadani. Kapiteni u ndëshkua me karton të verdhë kundër Kukësit dhe për të ishte i katërti, çka do të thotë se këtë javë nuk mund të luajë.
Mezanit i duhet të gjejë një zgjidhje dhe me shumë mundësi do të jetë Oltion Rapa që mund të lërë qendrën e mbrojtjes dhe të zhvendoset në mesfushë. Në këtë mënyrë Janiçiç do të formonte dyshen e prapavijës me Rustem Hoxhën. Gjithsesi duhet parë se çfarë do të vendosë vlonjati i pankinës bluzi.