FSHF ka vendosur të bëjë ndryshime te kombëtaret e moshave, teksa i vetmi që ka shpëtuar është trajneri i Shpresave Alban Bushi. Erjon Bogdani, Xhemal Mustedanagiç dhe Eqerem Memushaj nuk do të jenë më në krye të kombëtareve U19, U17, U15.
“Federata Shqiptare Futbollit ju fton nesër, e martë, ora 11:00, në një konferencë për shtyp ku do të prezantohen trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Konferenca do të mbahet pranë zyrave të FSHF, shkruhet në njoftimin e Federatës.
Top Channel raporton se Nevil Dede do të drejtojë në vijim Shqipërinë U19, ndërsa Elvin Beqiri zë vendin e Xhemal Mustedaganiç. Shkodrani ishte pjesë e stafit teknik të kombëtares U17 dhe tanimë merr drejtimin si trajner i parë. Largimi i boshnjakut ishte paralajmëruar, pasi FSHF e gradoi si drejtor teknik të ekipeve kombëtare.
Ndryshim edhe te Shqipëria U15: vlonjate Eqerem Memushaj nuk do të jetë më në krye të kësaj grupmoshe të kombëtares. Në vend të tij do të emërohet Armand Damo.