Teuta pret nesër Luftëtarin në Durrës dhe trajneri Bledi Shkëmbi e ka të qartë objektivin. “Duhet të jetë patjetër momenti i kthesës. Janë pak ndeshje dhe nuk lejohen gabimet. Patjetër duhet marrë tre pikët dhe të vazhdojmë të luajmë mirë”, është shprehur fillimisht korçari i Teutës.
Shkëmbi më tej vlerëson gjirokastritët: “Luftëtari po bën një sezon të mirë, të paktën dy muajt e fundit. Bëjnë lojë të mirë dhe kanë marrë rezultate. Kemi objektivat tona dhe duhet t’i realizojmë. Duhet të fitojmë patjetër”.
“Djemtë e detit” do të jenë thuajse të plotë këtë javë, me përjashtim të Ditmar Bicajt. Lezhjani u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Kukësin. Gjithsesi ka diçka që shqetëson Shkëmbin dhe është orari i ndeshjes, 15:00.
“Nuk më duket gjë e mirë që ndeshjet të luhen në drekë. E di shumë mirë se futbollistët në këto orare nuk japin maksimumin. Duhet të vazhdohej të luhej në mbrëmje. Është mirë për lojtarët dhe tifozët. Gjithsesi nuk kemi çfarë bëjmë dhe do të luajmë në orarin e përcaktuar”, u shpreh Shkëmbi për RTSH Sport.