Guerrils kanë ndjekur me interes çdo zhvillim në klubin e Partizanit dhe nuk është se janë të kënaqur nga merkatoja e bërë këtë verë. Gjithsesi këtë temë ata e prekin lehtë, por me “spond” i çojnë një mesazh drejtorit të përgjithshëm Olsi Rama. Nuk përmenden emra, por janë shumë të qartë.
Ata vënë në dukje faktin që askush nuk del hapur të marrë hapur përgjegjësitë, apo edhe të shpallë objektivat. Të lodhur në pritje të titullin kampion, Guerrils para nisjes së sezonit janë të qartë me mesazhin e tyre për drejtuesit.
“Për momentin klubi është mjaftuar me një merkato të vakët, pa ndërhyrje të forta për përforcime në pozicionet ku skuadra ka nevojë dhe me emra të paafirmuar. Për të mos i hyrë teknikaliteteve apo për të mos marrë rol specialistësh, mjaftohemi me këtë koment. Ndërkohë që ajo që na duket më shqetësuese është mungesa e deklarimit të objektivave dhe shmangia totale nga drejtuesit kur vjen puna tek marrja e përgjegjësive. Drejtori dhe drejtuesit duhet të dalin të marrin përgjegjësi për lojtarët e afruar, për objektivat, dhe të impenjohen maksimalisht për arritjen e objektivit titull dhe kupë. Është e pa tolerueshme të shohim një përsëritje të gabimeve të sezonit të kaluar, kur mendjemadhësia dhe njëkohësisht mendjelehtësia drejtuese me eksperimentimet dhe gafat na çoi në një sezon të dështuar totalisht. Kjo është një rikujtim pasi kemi qenë dëshmitarë të shumë gabimeve dashakeqe apo jo, dhe që vit pas viti përsëriten nga aktorë të ndryshëm. Me pak fjalë, thirrja e fundit: Duam titullin dhe kupën ! Nuk ka më kohë e vend për fjalë të bukura. Dje, sot, përjetë!”, shkruhet në deklaratën e Guerrils.