Renato Sançes është një dështak, mjafton një veprim i tij për ta kuptuar

E mbani mend Euro 2016? Natyrisht, triumfoi Portugalia e Ronaldos, por ra në sy edhe një mesfushor i ri, Renato Sançes. Më shumë u fol për faktin që Portugalia hidhte në fushë një djalosh aq të ri, 18 vjeç në atë kohë, dhe paraqitjet e tij nuk ishin të këqija.

Aq u desh që klubet e mëdhenj të marroseshin pas tij, duke harruar që shpesh lojtarët që zbulohen në Europian apo Botëror nuk rezultojnë detyrimisht fenomenë. Është tjetër gjë të luash 5 ndeshje dhe tjetër gjë të luash një kampionat në nivel konstant.

Bajerni i Mynihut, që zakonisht mendohet 1 vit për një transferim, mendoi se bëri biznesin e shekullit dhe e bleu mesfushorin nga Benfika duke paguar 35 milionë euro e duke shtuar klauzola pa fund. Megjithatë, asgjë nuk eci si pritej në Mynih dhe Sançes nuk ia doli të përsëriste Europianin. Bajerni vendosi ta huazonte, sepse nuk ofronte askush shifrën që kishte paguar Bajerni.

Çudia ishte se Sançes përfundoi në Angli, të Suonsi: klubi uellsian pagoi 8.5 milionë euro vetëm për huazimin 1-vjeçar, një çmenduri. Që në debutim, 14 topa të humbur në 28 minuta, aq u desh që në Angli të plaste gallata dhe Sançes nuk përfitoi as nga besimi që i dha trajneri Pol Klement, i cili e bindi të shkonte në Angli.

9 muaj më vonë, drama është kompletuar: Sançes nuk dihet nga ka humbur, ndërsa Suonsi ra nga Premier Liga, duke paguar shtrenjtë shpenzimet aspak logjike dhe politikat e gabuara të klubit.


Në një moment të tillë, askush nuk duhet të flasë, por Renato Sançes tregon që jo vetëm që është dështak si futbollist për momentin, por edhe si njeri dhe kjo është më e dhimbshme. Sot portugezi ka postuar në Twitter disa foto ku mban maska dhe reklamon disa “emoji”, ikona rrjetës sociale. Në “emoji” është fytyra e tij dhe Sançes i reklamon i lumtur, a thua se nuk ka ndodhur asgjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *