Tirana mori një fitore me shumë vlerë këtë fundjavë, duke triumfuar në shtëpi ndaj Luftëtarit. Tekniku Ze Maria u vu në dyshim për vazhdimësinë e tij, pasi në tre ndeshjet e para mori vetëm 1 pikë, megjithatë ky sukses me gjirokastritët sjell qetësi për momentin, para dy ndeshjeve shumë delikate, si ajo me Skënderbeun dhe Partizanin.
Ajo që bie në sy tek bardheblutë është fakti se në vetëm 4 javë janë aktivizuar plot 21 futbollistë. Asnjë skuadër tjetër nuk ka aktivizuar kaq shumë lojtarë në kaq pak ndeshje. Vetëm Kukësi i është afruar disi, pasi ka aktivizuar 20 futbollistë. Një statistikë shumë interesante, që tregon se trajneri brazilian nuk ka nguruar që t’i shohë gati të gjithë në fushën e lojës.
Më e veçanta mund të cilësohet se trajneri Ze Maria ka vetëm një lojtar të besuar. I vetmi që ka qenë në fushë në 4 ndeshje dhe nuk është zëvendësuar asnjëherë është Toni Maveje. Mesfushori nga Uganda është lojtari më i besuar i trajnerit të kryeqytetasve, pasi ishte në fushë dhe në ndeshjen e Kupës me Ilirinë për 90 minuta të plota. Një statistikë shumë e veçantë dhe interesante.