Profil/ Kush është njeriu i cili udhëhoqi Skënderbeun drejt një arritjeje historike. I duhet dhe titulli për të thënë: Po, unë jam më i miri
Gjergji Stefa
Mund të fitojë titullin e tretë në karrierë me tre skuadra të ndryshme. Ilir Daja nuk i mendonte grupet e Europa Ligës, kur në janar shkoi në Korçë. “Nëse nuk e fitoj titullin, është dështim”, – tha për gazetarët. Në maj doli i treti, por sfida në Kukës dhe gabimet e gjyqtarit ishin një alibi më vete. Pas janarit grumbulloi 40 pikë. Humbi finale e Kupës kundër Tiranës, që sapo kish rënë nga kategoria dhe ambienti filloi të luhatej. A kemi sjellë njeriun e duhur? Josa, që kish fituar 4 tituj në Korçë sapo kish rënë nga kategoria më Tiranën.
Të enjten në mbrëmje Daja mori frymë i qetë. Në grupet e Europa Ligë nga Europa Liga nuk kish shkuar asnjë më parë dhe njerëzit i kujtonin se Skënderbeu i Josës kishte marrë 3 pikë në grup, Daja ende 2. Pra, duhej një sukses. Nuk është faji i tij, nëse Dinamo e Kievit kishte ardhur për një shëtitje. Një fitore është gjithnjë një fitore, sidomos ndaj një skuadre që ka dominuar futbollin e lindjes dhe i ka dhuruar botës tre Topa të Artë. Për të arritur Josën dhe për t’u bërë ndoshta ndër më të mirët në histori, duhet fituar titulli. Titulli i tretë me tre ekipe të ndryshme. Në Korçë gjatë orarit të ndeshjes lokalet ishin plot, sepse stadiumi në Elbasan ishte i dënuar. “Mos bëni pyetje idiote, kampionati ka mbaruar”, të thonë atje. “Flasim pas Skënderbeut dhe Kukësit”, – thotë Daja. Ai dëshiron të shkojë në vitin e ri si kampion, ndoshta jo me matematikë, por me logjikë. Kush është njeriu i cili ka pamjen e Roki Balboas dhe konferencat apo intervistat pas ndeshjes i ngjajnë me leksionin e orës fizike? Ndonjëherë nuk kupton asgjë kur flet ai, por tund kokën në mënyrë që të mos bësh figurë të keqe. Pas pamjes dhe batutave, pas stilit disi “old fashion” në veshje dhe pas termave si ekran dhe tranzicion, pas çehres së atij që nuk e pranon asnjëherë që nuk ka të drejtë, gjendet një profesor kokëfortë me kokën plot, një nga ata me të cilët mund të bëhesh “armik” kur të duash. E marrim me radhë.
Pak a shumë, në të njëjtën periudhë dy vite më parë, drejtori sportiv i Tiranës Devi Muka kishte dalë nga apartamenti i tij për të takuar atë që ai kishte vendosur ta bënte trajner të Tiranës: Ilir Dajën! “Ku e gjete? – thoshin njerëzit në telefon – të ngjan një nga ata që ishte fshehur në komodinat e vjetra të librave”. Devi nuk kishte punuar me të. I duhej një i pakonsumuar në vitet e fundit. I duhej shqiptar, jo i rrethit bardheblu, i duhej një kokëfortë. “Ti do jesh trajneri i Tiranës’, – i tha Dajës, që kishte dalë kampion me Dinamon 8 vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe tentoi të drejtonte dy-tri herë Dinamon dhe Besën, por pa sukses, derisa kishte përfunduar te një akademi fëmijësh. Ajo ishte nata e tyre më e gjatë, përfundoi diku nga mëngjesi. Dashuri me shikim të parë.
Si gjithë dashuritë e mëdha, që nisin me pasion, ka gjasa të përfundojë me urrejtje. Jeta e Dajës bardheblu ishte e komplikuar. Rezultatet nuk folën për të. Vendi i pestë në kampionat, eliminim nga kupa dhe asnjë derbi i fituar. Megjithatë, njerëzit i thonë: “Profesor, Tirana është një ambient i vështirë”. Duhet ta kishe mirë dhe me Mukën dhe me Halilin, madje dhe me Alban Berishën, njeriun më të afërt të presidentit, që ai e quan perandor. Nëse je në rregull me të tre bashkë, ka diçka që nuk shkon. Herë me njërin e herë me tjetrin, derisa në fund i humbi të gjithë. Marrëdhënia më e komplikuar ishte me Mukën. Ai që e solli dhe që ishte gati të “flinte” me të, ishte kthyer pak a shumë në një kundërshtar. Një marrëdhënie tërhiq e mos këput. Vulën e divorcit e vuri presidenti. Josa në verë doli i lirë dhe Halilit i ish mbushur mendja. Ai do jetë pasardhësi. Në 11 javët e kampionatit të shkuar Tirana mori 20 pikë, po kaq sa Flamurtari sot, që të gjithë thonë është diçka e madhe. Kishte mundur madje dhe Skënderbeun dhe ajo humbje Skënderbeut i kushtoi ndoshta humbjen e titullit. Nuk mjaftonte. Raporti njerëzor kishte përfunduar. Tirana nuk është si Skënderbeu, nëse mbaron raporti njerëzor, mbaron dhe ai profesional. Te Skënderbeu ndodh ndryshe. Thonë që raporti njerëzor nuk ekziston. Si i thonë fjalës: kur dy njerëz ndahen, të dy kanë gjithë fajin e botës, por pak të drejtë kanë gjithashtu.
Skënderbeu! Vetëm disa javë pasi shkoi në Korçë, Daja pati një konflikt të hapur me disa nga lojtarët kryesorë. Si t’ia bëjmë? Klubi u tregua inteligjent. Nuk humbasim as trajnerin as lojtarët. I bëjmë të gjejnë gjuhën e përbashkët. Takaj është specialist i këtyre situatave. Thirri mënjanë dhe trajnerin dhe lojtarët. “Nëse unë dal në publik, dikush duhet të ikë”. Atij nuk i intereson të ikte asnjeri. Pas humbjes në Beograd këtë sezon skenat kishin gjasa të përsëriteshin. Trajneri nuk dëgjon askënd, madje qoftë dhe ndonjë këshillë. Por klubi nuk do vetëm të fitojë. “Kampionati ka mbaruar”, të thonë. Dëshiron të fitojë në Europë, duke promovuar lojtarë. Daja i sheh si i habitur. Akoma doni? 4 ture dhe 5 pikë. Sahiti, Shkodra, Demte, Gripshi, Dita, Nespor, sa shumë emra që qëndrojnë në stol. “Këtu vendos unë”, thotë me mendjen e tij Daja, ndërkohë që pjesa tjetër, drejtuesit dhe menaxherët rreth klubit, ndonjëherë ziejnë. “Në fund të fundit, rrogat tona mbahen nga lojtarët e shitur”. Presidenti qëndron mbi palët. Jo gjithçka i pëlqen, por gjithmonë i jep kohë vetes dhe situatave. “Trajneri nuk preket. Ai po na dërgon drejt titullit kampion. Në Europë nuk jemi keq”. Pikë. Sigurisht që dhe Takaj do donte që milionat sportivë me arritje në grupet e Europa Ligës dhe rezultatet të shoqëroheshin me shitje lojtarësh. Deri tani janë shitur Latifi, Berisha dhe Olainka. Një Europa Ligë më vete.
Daja nuk është elastik, ka gjithnjë një shpjegim shkencor për gjithçka, fokusohet vetëm te stërvitja dhe te formacioni. Me seleksionimin, buxhetin, rrogat merret tjetërkush. Të jesh në sinkron të plotë mes dy realiteteve, atij teknik dhe atij financiar, nuk është e thjeshtë. Sidomos kur luajnë pothuaj gjithnjë të njëjtit. Madje edhe kundër Lushnjës. “Këtu vendos ti, por dikush duhet të paguajë rrogat”. Asnjë dramë. Nuk do bëjmë tragjedi dhe ca më shumë çështje. Do bashkëpunojmë. Daja është trajner shumë i mirë. Po klubi?
Sigurisht që ka klube pa trajnerë. Por një trajner i mirë nuk ka ku shkon pa klubin. Dhe Daja këtë e di mirë. Për shembull, përpara ndeshjes kundër Kairatit në Kazakistan, skuadra u stërvit një javë në Turqi dhe nuk u kthye fare në Korçë. Njësoj si kombëtarja. Në dispozicion të trajnerit janë kushtet më të mira dhe 22 lojtarë shembullorë nga pikëpamja sportive. Gjërat janë më të thjeshta se te Tirana, prandaj dhe rezultatet janë më të mira.
Për koincidencë, Daja e pi kafenë poshtë pallatit të tij dhe fqinji i tij është Shpëtim Duro, që e pi kafenë në lokalin përballë. Duro në është vend të dytë me Flamurtarin, Daja në vend të parë me Skënderbeun. Të dy i kanë dritaret përballë. Daja madje sot po qëndron në Korçë, në shtëpinë ku qëndronte Duro në vitin e parë të titullit kampion. Janë të dy kokëfortë, por rrethanat kanë ndryshuar. Skënderbeu është bërë më i fortë.
Sigurisht që Daja është inteligjent. Herë pas here ndryshon dhe here pas here përshtatet. Ndonjëherë e tepron dhe ndonjëherë mundohet ta zbusë. Përvoja po i mëson se jo gjithnjë duhet të thuash atë që mendon. Fundja jo gjithnjë ajo që mendon është e drejta. Brenda stilit të tij, futbollin që e sheh vetëm si 4-3-3, pa asnjë alternativë taktike, zgjedhje pa parë emrin, mbiemrin apo moshën, rotacioni i munguar, ndonjëherë dhe fodullëku, është suksesi. Është i pari në kampionat dhe më i miri në Europë. Nëse ka rekord për të arritur, është ai titullit të tretë. Me ekipin e tretë. Ka fituar dhe me Elbasanin në 2006. Titulli është basti më i lehtë. “Kampionati ka mbaruar”, – të thonë në Korçë. “E ka marrë rrugën”, – të thotë Takaj. “Për pak, fare pak”, – të thotë Daja. Skënderbeu dhe Daja ndoshta nuk janë dashuri me shikim të parë, por janë martesa e duhur, solide dhe e konsoliduar. Dashuritë e mëdha mbarojnë me dëme, martesat e duhura të zgjasin jetën. Devi Muka doli nga apartamenti tij të enjten në mbrëmje dhe mendoi: “Ku ishin këta kur unë e mora në telefon? Unë e ribëra trajner”. Tipik lab.