Fulhem ia doli të fitonte në transfertë përballë Miluollit me rezultatin 1-3 në ndeshjen e “Carabao Cup”. Në minutën e 81-të, trajneri Jokanoviç ka aktivizuar një djalosh të ri, të quajtur Harvi Eliot. Djaloshi ka lindur me datë 4 prill të vitit 2003 dhe është debutuesi më i ri në historinë e klubit të Premier Ligës.
Një moment emocionues dhe plot krenari për Eliot, i cili nuk do e harrojë kurrë datën 25 shtator të vitit 2018. Meritë ka dhe trajneri Slavisha Jokanoviç, i cili hodhi në fushë Eliot në moshën 15 vjeç e 174 ditë. Përveçse rekordit të klubit të tij, Eliot bëhet lojtari më i ri, i cili debuton në futbollin anglez, duke thyer rekordin e Eshli Çembërs të Lester Sitit, i cili debutoi në vitin 2005, në moshën 15 vjeç e 204 ditë.
Trajneri i Fulhemit komentoi debutimin e Eliot, i cili ndiqet nga klubet e Barcelonës, Çelsit, Dortmundit dhe Mançester Sitit, duke deklaruar pas ndeshjes se: “Harvi është një djalosh absolutisht pozitiv dhe gjatë stërvitjeve më thotë gjithmonë që do të ma tregojë që është një lojtar në nivelin e kërkuar. Diçka të tillë e ka bërë në këtë periudhë dhe e meritoi shansin që i dhashë”, përfundon Jokanoviç.