Liverpuli fitoi me një poker golash përballë Buremuthit, duke u ngjitur përkohësisht në krye të Premier Ligës. Mançester Siti renditet i dyti me një pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa ekipi i Klopit regjistroi fitoren e 13-të në 16 ndeshje kampionat.
Zero humbje dhe tre barazime, aq sa numri i golave të shënuar nga Mohamed Salah në përballjen e sotme. Egjiptiani është rikthyer në formë fantastike dhe golat janë rikthyer. Tripleta e sotme e dërgon sulmuesin në kuotën e dhjetë golave, në krye të renditjes së golashënuesve bashkë me Abumejangun e Arsenalit.
Pikërisht Salah ka folur pas fitores me Buremuthin, duke bërë një gjest shumë të bukur. Ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, por refuzoi ta merrte këtë çmim, duke u treguar altruist. Xhejms Milner, mesfushori 32-vjeçari i “The Reds” dhe shoku i skuadrës së Salah, luajti një ndeshje jubilare në karrierë. Të 500-tën në Premier Ligë dhe ylli i Liverpulit ia dedikon atij çmimin e fituar.
“Nuk do e tërheq çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes. Kjo ishte ndeshja e 500-të e Milner në Premier dhe ai e meriton çmimin sot, pasi ka zhvilluar një karrierë të jashtëzakonshme. Shpresoj që të bëj paraqitje të tjera si kjo në karrierën time, por kësaj radhe nuk e pranoj çmimin“, sqaron shkurtimisht Salah, i cili ka vendosur të nderojë shokun e tij të skuadrës.