Tekniku Valverde: Kujdes Las Palmasin! Mesi ka lindur për rekorde
Ndeshja e radhës e Barcelonës është ajo me Las Palmasin në një duel të hapur nga larg me Real Madridin, për të mbajtur distancën prej gjashtë pikësh. Trajneri Ernesto Valverde u bëri thirrje lojtarëve të tij me konferencën e tij për shtyp për të mos e lëshuar veten për asnjë sekondë, sepse ishullorët janë skuadër e paparashikueshme, siç ka treguar gjithmonë në ndeshjet vendimtare.
Interesant është fakti se populli katalanas ka referendumin për pavarësinë dhe ndoshta nuk do ta ketë mendjen te skuadra, por Valverde nuk shqetësohet. “Pavarësisht se duam të argëtojmë tifozët, gjëja më e rëndësishme është marrja e tri pikëve. Ne duam të vazhdojmë të fitojmë. Shpresojmë që nesër (sot) gjatë referendumit të ketë respekt gjatë votimit. Las Palmas ka një trajner të ri dhe ata janë ende duke bërë një punë të mirë, kjo nuk diskutohet. Duam të fitojmë ndeshjen e nëntë radhazi. Njerëzit do të vijnë për të shijuar ekipin e tyre dhe për të parë fitoren tonë”, – u shpreh tekniku.
I pyetur mbi merkaton dhe kërkesat e tij, ai u përgjigj: “Nuk më pëlqen ekipi me shumë lojtarë. Ne do të shohim në merkaton e dimrit. Deulofeu? Unë mund të thërras 18 lojtarë dhe të aktivizoj 11, kështu që nuk mund të garantoj minuta për gjithkënd”.
Në fund, dy fjalë edhe për Mesin. “Leo ka aftësinë për të thyer rekorde. Është dominues për të gjithë, është e mahnitshme kjo që bën”.