Tre vite në majën e botës, por Reali i Madridit tashmë është rrënuar frikshëm, sepse brenda një jave ka humbur 3 herë në Bernabeu dhe është eliminuar nga çdo kompeticion, duke pasur parasysh se edhe shpresat për titull janë thuajse zero.
Shkatërrimin e Realit nga Ajaksi e ndoqi si spektator edhe Marselo, mbrojtësi brazilian i cili ka qenë superstar i Los Blancos për vite të tëra, por që është lënë në stol nga Solari në shumë ndeshje këtë sezon, ashtu si në dy sfidat kundër Ajaksit.
Nuk është thjesht formë e dobët fizike, ka shumë më tepër se kaq, sepse Marselo ka kohë që nuk është i lumtur në Madrid dhe largimin e ka kërkuar që verën e shkuar, kur iku Ronaldo.
Tani edhe bashkëshortja e tij Klaris Alvesh i hedh benzinë zjarrit, me një postim në profilin e vet në Instagram, ku praktikisht sulmon ambientin në Madrid dhe paralajmëron lamtumirën, duke cituar një trajnues profesional dhe psikolog, Mark Çernof: “Njihe vlerën tënde! Ndonjëherë nuk duhet të shqetësohesh, nuk ka rëndësi sa mund të bësh. Mund të ndodhë që ti të mos kesh thuajse asnjë vlerë për dikë që ndoshta vlen shumë për ty“.
Për të qenë më e qartë, Klaris Alvesh vendos edhe diçiturën ‘Santiago Bernabeu’ dhe vazhdon: “Nuk është krenari, është autovlerësim. Mos prit të shohësh ndryshime pozitive në jetën tënde, nëse rrethohesh nga persona negativë. Njihe vlerën tënde, kupto atë që mund të të japin dhe mos u kënaq kurrë me më pak nga sa meriton“.
Ndoshta dikush do mendonte se janë fjalë të momentit, në nerva e sipër, por kur vetë Marselo komenton: “Të dua“, atëherë është e qartë që praktikisht mendimi i Klaris Alvesh është edhe i mbrojtësit të famshëm, i cili sipas mediave në Spanjë i ka bërë të ditur Realit se kërkon të transferohet te Juventusi në verë.