Reali paguan mëkatet, tani vjen revolucioni

0

Dështimi i Realit ishte në horizont prej kohësh, funeralin sezonit të Los Blancos ia nisi Barcelona dhe ia përfundoi Ajaksi, aty ku luan edhe një lojtar i ardhshëm i Barcelonës, De Jong.

Dështimi madrilen mund të quhet edhe një rrënim i planifikuar, sepse Sergio Ramos mori një karton të verdhë të qëllimshëm në ndeshjen e vajtjes dhe Reali pati fodullëkun të besonte se ishte i kualifikuar, se mjaftonte një sforcim i lehtë në Bernabeu.

Situata ishte si ajo e sezonit të shkuar, Reali u përqendrua vetëm te Champions League dhe shpresoi që mrekullia të përsëritej, por këtë radhë nuk janë Ronaldo e Zidan, nuk është më ekipi i uritur i viteve të fundit dhe mungon totalisht harmonia.

Reali nuk ka cilësi të mjaftueshme për të sunduar në Europë, merkatoja e verës së shkuar ishte një dështim kolosal, sado fenomen të konsiderohet Vinicius, për të cilin harrohet që është ende fëmijë dhe Reali nuk është Ajaksi, që historinë e vet e ka ndërtuar me fëmijë fenomenë.

 

Tashmë Realin e pret revolucioni total, nga trajneri Santiago Solari, i panevojshëm, pa ide e pa autoritet në klub. Karvahal e tha troç, “është një sezon muti”, ndërsa shifrat i japin të drejtë, sepse kurrë Reali nuk ka qenë kaq keq.

Prej 9 vitesh Los Blancos nuk eliminoheshin kaq shpejt, ndërsa 4 humbje rresht në Bernabeu janë pa precedent, me 20 gola të pësuar në tempullin madrilen, me tifozët që kanë lënë pagat mujore për të blerë bileta për sfidat ndaj Barcelonës e Ajaksit.

Në ditët e ardhshme priten masa drastike, për të evituar katastrofa të tjera, por në verë Florentino Perez do të duhet të shpenzojë shumë dhe më zgjuarsi, për të fshirë thirrjet për dorëheqje.

Bejl është i pari që do të largohet, në Madrid nuk e do askush, por pas tij është gjysmë ekipi që pret, me valixhet gati. Duhet një Ronaldo i ri, mision thuajse i pamundur, por Reali ka emrin dhe paratë, mjaftojnë për të rinisur gjithçka nga zero.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.