Kompania e basteve, “Paddy Power”, sulmon futbollin anglez, duke marrë në mbrojtje komunitetin LGBT. Si çdo fillim gushti, në qytetin e Brajton dhe Houe zhvillohet “Brighton Pride”, një event në mbështetje të kauzës LGBT. Këtë vit, përveç paradës do të flitet dhe për futboll. Me iniciativën e kompanisë së basteve, një autobus i zbrazët do të kalojë nëpër rrugët e qytetit për të dëshmuar faktin që: asnjë nga 500 futbollistët më të mirë të futbollit anglez nuk është homoseksual.
Një formë proteste drejtuar Premier Ligës, e konsideruar përgjegjëse që nuk qëndron në krahun e shumë futbollistëve anglezë që nuk kanë kurajën për ta pranuar që janë “ndryshe”.
“Federata angleze e futbollit nuk mbështet kauzën e futbollistëve homoseksual” shprehet kompania “Paddy Power”. Vetëm vitin e kaluar, kreu i federatës angleze, Greg Klark, tha se të paktën dy lojtarë homoseksualë të Premier Ligës nuk ndiheshin të sigurtë dhe gati për të bërë publike orientimin e tyre seksual.
“Liga e futbollit më e shikuar në botë pasqyron komunitetin që e rrethon. Në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, një në 50 persona është pjesë e komunitetit LGBT, ndërsa në Premier Ligë nuk rezulton asnjë futbollist homoseksual. Mendojmë që edhe nëse vetëm një lojtar i Premierit arrin të zbulojë të vërtetën e tij, kjo gjë do të kishte një efekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm për komunitetin në fjalë. U bëjmë thirrje institucioneve britanike që të punojnë më shumë, me qëllim që të krijojnë kushtet e duhura për lojtarin e parë homoseksual që do të pranojë të bëjë publike një fakt të tillë”, përfundon një nga zyrtarët e kompanisë së basteve.