Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, flet gjerësisht për Partizanin, të tashmen dhe planet e së ardhmes, por edhe për kampionatin dhe çështjen Skënderbeu
Olsi Rama është ndryshe. Nëse te Partizani ka pasur polemika pa fund kundrejt federatës, arbitrave e rivalëve këto vitet e fundit, vëllai i kryeministrit ka zgjedhur një linjë tjetër. Në fakt, është Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, jo vëllai i Edi Ramës, dhe Olsi ka nisur një revolucion të heshtur te Partizani. Diplomacia, arti i panjohur për shumicën e shqiptarëve, zotërohet mirë prej tij dhe është një kënaqësi ta dëgjosh, nëse nuk je pjesë e turmës, e njerëzve të etur për polemika, për ofendime, për akuza. Olsi Rama i thotë të gjitha, në një lidhje me emicionin “Zona Gol” në Supersport, duke nisur nga Partizani e deri te arbitrat, nga planet e së ardhmes e deri te dosja e UEFA-s që kërkon dënimin e Skënderbeut…
Merkatoja – “Kampionati ynë është i vështirë, ka një specifikë të veçantë, ndaj edhe lojtarët e ardhur verën e shkuar nuk u përshtatën dot si prisnim. Rregullimet e bëra në merkaton e janarit janë bërë duke menduar për të tashmen, por sidomos për të ardhmen, duke mbjellë tani dhe duke korrur më vonë”.
Akademia e Partizanit – “Është e vërtetë, nuk është në një situatë komode, sepse na u desh të lëviznim nga ish-klubi Dinamo. Projekti i klubit Partizani është shumë i bukur, është një kompleks 37.000 metra katrorë, me tre fusha, me një ministadium prej 4500 vendesh dhe një minihotel me të gjitha kushtet. Aty fillon kthesa e madhe e Partizanit, sepse një infrastrukturë e tillë të lejon të bësh punën në mënyrë më efektive. Projekti ka nisur, presidenti ka bërë një sforcim të madh dhe tani po kërkojmë të vazhdojmë investimin tonë. Në kushtet që jemi, nuk është e lehtë, por jemi optimistë që do të gjejmë fondet e mjaftueshme, nga vendi apo edhe nga UEFA, për të ndërtuar një klub model në Shqipëri. Planet tona nuk ndalen këtu, sepse duam të punojmë fort edhe për marketingun e klubit, për ta bërë sa më tërheqëse markën e një klubi të madh si Partizani, por kjo vlen edhe për klube të tjerë të rëndësishëm, si Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia e të tjera”.
Të ardhurat – “Nuk janë të mjaftueshme, sado të mëdha të jenë, duke përfshirë edhe ato nga kupat e Europës. Klubi duhet të krijojë të ardhura nga lojtarët që rrit vetë dhe i shet, duke i zëvendësuar me të tjerë të talentuar”.
Synimi për skuadrën – “Së pari, në këtë fazë unë dua lojën. Edhe pas humbjes kundër Kukësit i takova lojtarët dhe u thashë të ngrinin kokën. Po luajmë mirë, edhe ndaj Skënderbeut, por fati nuk është në kohën tonë këto kohë. Një ndër më të mirët në fushë për ne, Gojkoviç, shënoi edhe autogolin, një fatalitet”.
Lukas dhe Abdurahimi – “Janë lojtarë vërtet të mirë, por ende nuk e kanë kapur ritmin dhe nuk janë ambientuar në futbollin shqiptar. Besoj se do të ndodhë në vazhdim dhe do të habiteni me vlerat e tyre. Ne kemi disa lojtarë si Asani, Bardhi e ndonjë tjetër që duam t’i vlerësojmë dhe nuk mund t’i mbajmë në stol. Morëm këta lojtarë, Lukas e Abdurahimi, për të bërë një lojë pa pika referimi në sulm, në pritje të Çanit”.
Përgjegjësitë – “Ne takohemi shpesh dhe analizojmë ecurinë e lojtarëve, skuadrës dhe klubit. Partizani gjithnjë mundohet t’i ndajë përgjegjësitë, ashtu si detyrat”.
Starova – “Një ndër gjërat që po mundohemi të vendosim në klub është pjesa e përgjegjësisë. Të gjithë mendojnë se Starova ka gabuar në rastet kur është pezulluar, edhe ai vetë e di. Klubi ka pranuar me dinjitet dhe kokulur faktin që ai ka gabuar, por në asnjë moment nuk është vënë në dyshim pozicioni i tij si trajner. Dalipi ka kohë që është pjesë e Partizanit si zëvendëstrajner dhe nuk kemi pasur asnjëherë idenë për rokadë. Edhe kur iku Juliano, edhe kur e konfirmuam, treguam se kemi besim te aftësitë e Starovës, njohjet e tij në kampionatin shqiptar dhe shpresojmë se do të marrim rezultate deri në fund të sezonit. Ai e ka lidhur karrierën e tij në futboll me Partizanin, ka fituar titullin e fundit dhe ka qenë gjithnjë në krah të presidentit Demi, si trajner apo këshilltar. Ndoshta i ka rënduar fakti që ka marrë disa herë ekipe të ndërtuar nga të tjerë, por gjithnjë ka punuar me profesionalizëm. Ta ndryshojmë pak? Është në një moshë që nuk ndryshon dot më, duhet marrë me të mirat dhe të këqijat e tij”.
Përzgjedhja e lojtarëve – Ndarja e detyrave është shumë e rëndësishme dhe nuk më takon mua të zgjedh lojtarë, nuk jam i kualifikuar për këtë punë. I takon drejtorit sportiv, Preitin, që është shumë i zoti. Do të ndërtojmë edhe një rrjet skautësh, për të gjetur lojtarë të rinj brenda dhe jashtë vendit. Unë do të kem barrën e vendimmarrjes në fund, duke llogaritur aspektin sportiv dhe atë financiar, në bashkëpunim me stafin teknik poshtë meje dhe presidentin Demi”.
Marrëdhënia me FSHF-në – “Ndoshta jo gjithnjë kemi pasur marrëdhënie të mira, është e vërtetë, por duam të bashkëpunojmë, pasi Federata ka për detyrë të organizojë futbollin në Shqipëri”.
Moxhi – “Është një bashkëpunëtor i rëndësishëm i klubit, vjen shpesh në Shqipëri dhe shpresojmë që të ndihmojë edhe për transferimin e ndonjë lojtari të talentuar të Partizanit jashtë Shqipërie”.
Lojtarët e larguar në janar – “Kishin një kohë të gjatë te Partizani, nuk kishin realizuar objektivin personal, që ishte fitimi i ndonjë trofeu, ndaj kishin rënë në një rehati personale dhe duhej një lëvizje për të shkundur lojtarët dhe ambientin, për të arritur objektivat”.
Tifozët e zhgënjyer – “Së pari, falënderoj tifozët që ishin në Korçë dhe prania e tyre tregon që ata identifikohen me ekipin në fushë. Shpreson që titullin ta fitojmë vitin e ardhshëm, sepse nuk dua të spekuloj për dënim të mundshëm të Skënderbeut apo llogari të tjerë. Unë dua që Partizani ta fitojë titullin në fushë, duke mundur rivalët direktë. Synimi? Mendoj se loja po rritet dhe jemi brenda objektivit për kualifikim në Europa League”.
Kampionati – “Është shumë i ekuilibruar dhe i ashpër, të gjitha ekipet luajnë një futboll të fortë, ku kërkohet me çdo kusht rezultati pozitiv. Personalisht, nuk e preferoj këtë lloj futbolli. Unë shpresoj të bëhet më shumë për ndjekshmërinë e kampionatit, sepse në kampionate të nivelit tonë, si Seria B italiane për shembull, kanë stadiume me shumë më tepër spektatorë”.
Lojtarët e spikatur – “Ka lojtarë që është kënaqësi t’i shohësh. Abazaj, Bregu, Gavazaj, për shembull, janë lojtarë shumë cilësorë. Janë të Skënderbeut? Nuk ka rëndësi, por Skënderbeu ka punuar mirë, ka pasur një organizim shumë të mirë për të zbuluar talentet në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë”.
Bashkëpunimi me Demin – “Bashkëpunim shembullor, marrëdhënie shumë e mirë, me respekt reciprok dhe hapësirë veprimi për mua. Ai e ka Partizanin shumë për zemër, është një pasion i vjetër i tij, është përpjekur gjithnjë për të mirën e klubit, për të rikthyer titullin te tifozët dhe klubi. Një derbi miqësor me Tiranën? Ne jemi gati”.
Skënderbeu – “Uroj dhe shpresoj që ato që shkruhen në raportin e UEFA-s të mos jenë të vërteta, sepse gjithçka do të ishte një goditje e rëndë për imazhin e futbollit tonë. Drejtësia sportive funksionon ndryshe nga ajo penale, funksionon në bazë të dyshimit dhe me sa kam parë, ka vite e vite të dhëna, por uroj të mos jenë të vërteta. Për mua, personalisht, dëshira është që Skënderbeu të jetë pjesë e kampionatit dhe ta mundim që prej ndeshjes së ardhshme e në vazhdim. Isha në Korçë për ndeshjen e djeshme dhe vura re që kishte shumë nervozizëm nga publiku, kishte shumë ofendime dhe nuk e prisja, pasi besoja se Korça do ta ruante qetësinë dhe qytetarinë e vet edhe në momente të vështira”.