Një deklaratë e Mazinjos, babit dhe menaxherit të Rafinjës, shkaktoi disa polemika te Barcelona. “Është krijuar një situatë, që të bën të luash mendsh. Nuk kuptohet asgjë. Ne duam që Rafinja të luajë rregullisht. Luan tre ndeshje rresht dhe mungon tek e katërta… Barcelona nuk dëshiron ta mbajë, kështu që Rafinja do të ishte i lumtur të largohet”, u shpreh Mazinjo, ndërsa Rafinja ka reaguar në një prononcim për spanjollen “Sport”.
25-vjeçari e pranon se ishte një deklaratë e gabuar dhe tregohet i përulur. Punë dhe vetëm punë. Ndodhet në skuadrën më të mirë në botë dhe është i sigurt që do të vijë dhe momenti i tij.
“Jam i përqendruar totalisht te Barcelona. Kush më njeh, e di mirë se nuk jam mësuar të flas. Nëse nuk grumbullohem për ndeshje, mendoj vetëm të vrapoj më shumë dhe të përmirësohem. Kjo është një gjë që e kam mësuar nga babai im. Deklaratat e tij ishin të gabuara. Jam prej vitesh te Barcelona, jam në skuadrën më të mirë në botë, konkurrenca është normale, thjeshtë më duhet të punoj fort për të marrë besimin e trajnerit.”
“Nejmar? Do të lumturohesha nëse kthehet. Ai është një nga më të mirët, por nuk flasim për të në dhomat e zhveshjes. Dembele? Unë nuk i gjykoj të tjerët, por e shoh që punon shumë në stërvitje”, përfundon Rafinja.