“Qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të hapi kompanitë e basteve”, Fidel Ylli: Vetëm bastet i lehtësojnë buxhetet mjerane të sportit

Fidel Ylli ka bërë thirrje për rihapjen e komanive të basteve. Këto të fundit u mbyllën me vendim të qeverisë Rama, por një vendim i tillë ka lënë të pakënaqur kreun e KOKSH-it. Fidel Ylli ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Zone” në “MCN TV”, ku është shprehur se hapja e kompanive të  basteve do të mund t’i japë më tepër të  ardhura sportit. Gjithashtu, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar kritikon qeverinë për uljen e buxhetit për sportin me 1 miliardë lekë.

“Sot në zyrën time kanë qenë mbi 20 federata. Buxheti i sportit është ulur në mënyrë drastike këtë vit është diçka katastrofale. Është ulur me 1 miliardë lekësh. Do mblidhemi dhe t’i bëjmë të ditur qeverisë, se ky që kanë bërë me buxhetin e sportit është një turp. Unë nuk e filloj projektin, nëse qeveria nuk i kthen dinjitetin sportit. Nuk ka para qeveria?! Le të hapen bastet sportive atëherë, që lulëzojnë në këtë moment. Greqia ka, Italia ka. Duhet të bashkohemi që t’i bëjmë presion qeverisë, për t’i dhënë sportit atë që meriton.

Kjo nuk i falet as parlamentit asnjërit, që e ulën buxhetin me 1 miliardë lekë. Nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur. Do detyrohen të na i kthejnë ato lekë. Ne nuk duam të bëjmë grevë, që të na dëgjojë qeveria. I duam si partnerë. Duam të na dëgjojë, të na thotë se kompanitë e basteve do i hapin. Buxheti do rritet kur qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të hapë kompatinë e basteve. Buxhetet janë mjerane dhe ne nuk mund të bëjmë dot me këto. Sportin e lehtëson vetëm hapja e kompanive të basteve”, ka deklaruar Fidel Ylli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *