Bajerni i Mynihut mposhti 3-0 Laipcigun në finalen e Kupës së Gjermanisë mbrëmjen e kaluar. Mbyllje fantastike e ekipit bavarez, që arrin ta përfundojë sezonin me fitimin e kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë.
Nga ky sukses i dyfishtë ka përfituar edhe Niko Kovaç. E ardhmja e trajnerit kroat në stolin e Bajernit ka qenë në dyshim, pavarësisht se ka meritat e veta në këto triumfe. Megjithatë, ka qenë vetë Karl Hainc Rumenige, ai i cili ka folur në lidhje me trajnerin.
“Niko do të vazhdojë të jetë trajneri ynë. Kjo gjë nuk ka qenë kurrë temë diskutimi. Nuk kemi dyshuar kurrë për të. Në fund vlejnë trofetë e fituar dhe Kovaç ka luajtur një rol thelbësor në këto suksese”, përfundon drejtori administrativ i gjigantit gjerman.