“Qëllimi im që të bind trajnerin Reja”! Çekiçi flet para miqësoreve të qershorit: Në Turqi është kampionati më i fortë, jam rritur

Shqipëria do të luajë dy miqësore në muajin qershor për t’u përgatitur sa i përket kualifikueseve të Botërorit. Në konferencën për shtyp ishte edhe Endri Cekiçi, që është vlerë e shtuar e Kombëtares kuqezi.

Mesfushori u shpreh i kënaqur që është pjesë e këtij grumbullimi, teksa foli për miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, duke theksuar se këto dy ndeshje do t’i shërbejnë ekipit Kombëtar për të parë ku duhet të përmirësohen si dhe u shpreh se do të japin maksimumin. Ai gjithashtu foli edhe për sezonin e kaluar në Turqi, me skuadrën e Ankaragücü.

Sezoni i kaluar në Turqi – Pa dyshim që më ka ndihmuar shumë ky sezon i parë në kampionatin turk pasi është një kampionat akoma më i fortë nga ato që unë kam luajtur më përpara. Por besoj se akoma edhe më shumë më ka ndihmuar të rritem në aspektin personal.

Pozicioni në Kombëtare – Gjatë gjithë sezonit, tek ekipi aktual unë luaja mesfushor qendre ose numër 10 kështu që besoj se edhe në Kombëtare, te treshja e mesfushës e gjej veten më mirë.

Miqësoret, test për t’u afirmuar si lojtar i Kombëtares? – Ky është qëllimi im. Në momentin që do më jepet mundësia, do të jap maksimumin që ta bind trajnerin që jam këtu për të ndihmuar ekipin.

Ndeshjet e marsit? – Ju thatë që ishin ndeshje me dy fytyra, por në fund ne bëmë detyrën tonë. Pritshmëritë i plotësuam, morëm 6 pikë në ato tre ndeshje, kështu që besoj se notën duhet ta japim pas këtyre dy ndeshjeve me kundërshtarët tanë direktë.

Sezon i lodhshëm për ne? – Edhe lojtarët e Uellsit dhe ata të Çekisë, pavarësisht se po përgatiten për Europian, vijnë pas një sezoni të gjatë si ne. Ata janë thuajse një nivel me Hungarinë dhe Poloninë dhe ne duhet të shikojmë veten se ku jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë deri në momentin që do vijnë ato dy ndeshje.

Miqësoret? – Ne nuk nënvlerësojmë asnjë ekip, as ekipet që fituam ndeshjet e kaluara nuk i nënvlerësuam, kështu që kurrsesi nuk mund të nënvlerësojmë Hungarinë edhe Poloninë. Në këto ndeshje, pavarësisht rezultatit ne do japim maksimumin, që edhe në qoftë se diçka nuk shkon mirë, ta përmirësojmë kur në lojë të jenë pikët.

Biseda me trajnerin – Kur kam folur me trajnerin, ai më ka shpjeguar pak a shumë pozicionin që do nga mua, kështu që unë shpresoj ta ndihmoj ekipin dhe këtë ta tregoj në fushën e lojës.

E ardhmja – Ndihem mirë në Turqi, por futbollit nuk i dihet. Është merkato, kështu që mbetet të shohim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *