Ali Soue erdhi në Superiore sezonin e shkuar dhe arriti që me 21 golat e tij të shpallej kampion, të fitonte Kupën e Shqipërisë dhe të merrte me vete “Këpucën e Artë”. Vjet korçarët fituan duelin me Partizanin, klub i lakuar sërish për shërbimet e lojtarit nga Gambia. Edhe Flamurtari e do, por Kievo sigurisht që mendon ta shesë sulmuesin.
Nëse ndokush nga klubet e Superiore e merr, do ishte padyshim një goditje, pasi aftësitë e sulmuesit dihen. Gjithsesi nuk duhet harruar: kushton shumë. Sado gola të realizojë, që të ta shpërblejë do të duhet të ndihmojë në kalimin e të paktën dy tureve në Europë.
Për Soue së fundmi në skenë ka dalë edhe një klub italian. Raportohet se Mesina po tenton ta marrë 23-vjeçarin, por duket një mision i pamundur dhe është e thjeshtë: skuadra italiane garon në Serinë D dhe financiarisht zor se e përballon sulmuesin.
Ndërkohë, pas sezonit të bërë vjet në Superiore, padyshim që për të interesohen klube të rëndësishme. Në Turqi emri i tij është lakuar më parë te Trabzosnpori, që ishte gati të paguante 200 mijë euro për kartonin e tij, si dhe t’i ofronte një pagë që do të shkonte në 300 mijë euro në sezon. Shifrat flasin vetë: është i paarritshëm për klubet shqiptarë dhe Mesinën.