Prova e parë si “timonier”, Bushi udhëheq Shpresat!

 

Nësër në “Selman Stërmasi” U-21 e Shqipërisë në një test “luksi” ndaj “”gjelave”. Trajneri Bushi: “Me këmbë në tokë, ndryshe rrezikojmë shumë”. Klimë e qetë dhe ambient në harmoni

Reportazh nga FATMIR EFICA

Në prag të sfidës se prestigjit dhe luksit ndaj Francës, kombëtarja U-21 vijon përgatitjet e saj disa kilometra larg Tiranës, aty ku klima bregdetare është ajo që i mbush me më shumë “oksigjen”. Paraditja e djeshme ka qenë me disa orë “relaksi” për futbollistët dhe stafin e Kombëtares Shpresa U-21 të Shqipërisë. Vend grumbullimi i skuadrës në “Hotel Dyrrah” në zemër të plazhit të Durrësit, koha e bukur që ka qenë dje deri para drekës, e ka justifikuar qëllimin për të pasur edhe atraktivitetin si aleat. Aq më tepër në vigjilje të një sfide miqësore, me përmasa historike si kjo e nesërmja ndaj Francës. Pasditja me stërvitjen në fushën “qilim” të stadiumit “Besa” të Kavajës, ka bërë që futbollistët e drejtuesit e stafit teknik, të rrisin në shkallën më superiore optimizmin e tyre. E kur gjendesh para një ballafaqimi historik si ky ndaj Francës, futesh vetvetiu në një “botë” tjetër. Je madje në ëndrrën e bukur sikur ke prekur “majat”.

Gjendja e përgjithshme në tërë komponentët speciale të përgatitjes që janë aplikuar nga dita e enjte kur nisi puna përgatitore për sfidat miqësore me Francën me 5 qershor dhe Estoninë në Elbasan më 12 qershor për kualifikueset e Europianit, është ajo e duhura. Ka impenjim, seriozitet, përgjegjësi. Për detajet më të “imta” që kanë të bëjnë me formacionin që do të zbresë në fushë, me skemën që do të luhet, me lëvizjet më të fundit që janë menduar, Alban Bushi, me eksperiencën e madhe të fituar në krah të Italianit të Kombëtares së madhe të Shqipërisë Xhani de Biazi, ka përfituar shumë. E dhe puna konkrete në dy vitet e fundit në Akademinë e Futbollit për Bushin konsiderohen një përvojë e çmuar. Tashmë në krye të djemve të U-21 të Shqipërisë, tekniku i ka idetë e qarta. Thjeshtësia e modestia, puna specifike për të sjellë në vëmendje të përgatitjes së përgjithshme të futbollistëve shumëçka ata kanë nevojë, ka krijuar një komoditet që profesionalisht shihet si një nga “shtyllat” e besimit e sigurisë për të kërkuar në këto dy takime të radhës, ndonëse janë të ndryshëm nga njëri tjetri, shpalosjen e aftësive më të mira e bindjen për të synuar vetëm rezultate pozitive. Testin me francezët të gjithë e quajnë një “luks”.

Por në një situatë të tillë vlen të punohet pa as më të voglën “eufori”, madje ne jemi ngulur mirë me “këmbë në tokë”, shpjegoi mbrëmë Alban Bushi, posaçërisht për “Sport Ekspres”, “ndryshe rrezikojmë shumë”. Ndërthurja e kontingjentit të Shpresës me lojtarë që vijnë nga kampionatet e huaja dhe sjellin përvoja interesante nga klubet e tyre ku kanë ditur të afirmojnë më së miri vetveten, me përfshirjen më të gjerë se çdo herë tjetër gjatë viteve të fundit edhe të futbollistëve nga kampionati i kategorisë Superiore të Shqipërisë, janë një “bazament”që sa vlen për momentin, po aq sheh diçka më larg, duke menduar për një garanci më shumë të “vjeljes” së aftësive të këtij grupi të mirë futbollistësh. Po ndërkohë rezymeja e potencialit sportive të çdonjërit flet qartë se përzgjedhja e alternativave më të mira mund të na çojë vërtetë te suksesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online