Hamburgu prej vitesh lufton vetëm për mbijetesën, teksa në gjysmë dekade janë shpenzuar 50 mln euro në merkato nga Klaus-Mihael Kuhne
Shpenzime dhe rroga të çmendura, por sërish lufta për mbijetesë deri në javët e fundit. Hamburgu, skuadra e vetme e Bundesligës që kurrë nuk e ka provuar shijen e rënies në kategori, edhe këtë sezon e ka nisur si mos më keq, por siç duket, durimit po i vjen fundi. Në fakt, presidenti dhe pronari i skuadrës së lumit Elba, Klaus-Mihael Kuhne, një biznesmen dhe miliarder gjerman, ka vendosur të mbyllë rubinetat… duke kërkuar llogari për mënyrën se si po shpenzohen paratë.
Në një intervistë për “Handelsblatt”, miliarderi jep lajmin se do t’i japë fund shpenzimeve për klubin. “Kjo është hera e parë që e bëj një gjë të tillë”, tha ai, duke komentuar se merkatoja e futbollistëve tani kishte filluar që të përfshinte shifra të cilat edhe ai i cilësonte “të frikshme”. Në fakt, zbulimi i bërë nga mediet gjermane, që kanë investiguar, flet për 60 milionë euro të investuara në 5 vitet e fundit.
“Klubi ka kaluar një periudhë të çmendur vështirësie, ka pasur ndryshime, është luajtur kumar me blerje të reja. Sigurisht që kur investon kaq shumë para, siç kam bërë unë, atëherë fillojnë edhe pakënaqësitë”, tha Kuhne.
Praktikisht, tashmë presidenti dhe pronari kërkon rezultate dhe jo më vetëm fjalë dhe premtime kot. Dhe, këtë merkato janari parashikohet të mos ketë afrime aspak, ose të jenë me shifra shumë të ulëta, teksa vetëm në merkaton e shkuar të dimrit, u shpenzuan rreth 10 milionë euro dhe u ofruan rroga të mëdha. Mavraj u transferua nga Këlni për një investim total prej gati 8 milionë eurosh, përfshirë rrogën për tre vite dhe sidomos për kartonin e paguar.