Projektohen drejtuesit e rinj të Vllaznisë

Kuqeblutë kanë gati drejtuesit e rinj. Pas një periudhe të gjatë pauze, pritet të jenë bëhen lëvizjet e para. Që prej ndeshjes së fundit me Skënderbeun, futbollistët janë tërësisht pushim, por më e keqja është se asnjëri prej tyre nuk ka as më të voglin njoftim për të ardhmen e Vllaznisë. Një gjë e tillë vjen nga fakti se për momentin asnjë prej strukturave drejtuese të klubit Vllaznia nuk funksionon.

Kuqeblutë janë pa administrator, pa drejtor sportiv dhe pa trajner. Ndërkohë edhe Bordi Mbikëqyrës i Vllaznisë, nisur edhe nga dorëheqja e ndonjërit prej tyre, nuk funksionon. Një gjendje e tillë nuk do të zgjasë shumë. Sinjalet pozitive u dhanë që në mbledhjen e kaluar të Asamblesë së Klubit të Futbollit Vllaznia, ku krahas miratimit të aktivitetit financiar, u fol edhe për të ardhmen.

Tashmë pritet mbledhja e ardhshme e Këshillit Bashkiak, ajo e datë 19 korrik, që pritet të miratojë edhe vendet bosh në Bord. Më pas do të nisin edhe emërimet e reja të drejtuesve të klubit Vllaznia. Nga sa bëhet e ditur, brenda strukturave të Bashkisë Shkodër, në konsultim të plotë edhe me kryebashkiaken Voltana Ademi, emrat për plotësimin e vendeve bosh tashmë janë projektuar.

Gjithnjë nga burime të brendshme në bashkinë Shkodër, mësohet se emri që pritet të zëvendësojë administratorin e dorëhequr Astrit Gjyrezi, është ish-futbollisti shkodran Suad Lici. Sipas rregullores, emërimi përcillet nga ana e Bordit Mbikëqyrës Vllaznia. Në vijim, gjithnjë sipas rregullores, administratori i ri Lici pritet të emërojë në cilësinë e drejtorit sportiv Alban Nezirin. Ky post më herët është mbajtur nga Eugent Zeka.

Në lidhje me postin e trajnerit të Vllaznisë, emri i propozuar thuhet se është ai i Ervis Krajës, trajner ky që ka drejtuar Vllazninë B sezonin  e kaluar, por që e mori edhe drejtimin e kuqebluve në dy javët e fundit të kampionatit pas dorëheqjes së ish-trajnerit Ernest Gjoka. Lëvizjet e mundshme në fjalë pritet t’i hapin rrugë edhe ndërtimit të skuadrës së re që do të përfaqësojë Vllazninë në kampionatin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. GASPËR MARKU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online