Projekt i shkëlqyer, mbështetje financiare dhe ambicie: Struga e Nijas Lenës në elitë!

0

Futbolli në Maqedoninë e Veriut shton një tjetër skuadër shqiptarësh. Ishim mësuar ta quanim Shkëndijën e Tetovës si skuadrën e shqiptarëve, por së fundmi edhe Shkupin, që mundi te regjistrojë një arritje të mrekullueshme, duke u kualifikuar në kupat e Europës. Megjithatë, këtu flitet për një histori krejt ndryshe, një histori nga ato që do të mbahen mend gjatë dhe skaliten, pse jo, edhe me germa të arta: FC Struga!

Një projekt i nisur 4 vjet më parë, në një qytet shumë afër kufirit me Shqipërinë, një qytet që në pjesën më të madhe të tij përbëhet nga shqiptarë dhe që për herë të parë skuadra e futbollit të tij do të luajë në kategorinë e parë të Maqedonisë, e barasvlershme me Superligën shqiptare. FC Struga Trim Lum është emri më i ri që i shtohet elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Vetëm 4 vite më parë e niste nga ligat më të ulta të vendit fqinj, ndërsa më 25 maj të vitit 2019 kurorëzoi ngjitjen në elitë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. E kishte siguruar disa javë më parë, por në 25 maj e zyrtarizoi, në stadiumin e qytetit të vet, aty ku sezonin tjetër synon të luajë dhe të përballet me emrat e rëndë të futbollit si Shkëndija e Tetovës, Vardari apo Shkupi.

Kompania Trim Lum, që nisi projektin 4 vite më parë, besoi verbërisht se FC Struga do të ishte shpejt në elitë të futbollit, gjë që tashmë është një realitet i bukur. FC Struga dominoi plotësisht në ligën e dytë, duke zënë vendin e parë. Mjafton të kujtojmë se ndeshjen e fundit përballë FC Labonishta, që ishte në vendin e dytë, FC Struga e fitoi 6-1.

Një skuadër e përbërë kryesisht nga shqiptarë, madje brenda saj ka edhe pak aromë Superlige. Skuadra drejtohet nga Jeton Beqiri, ish-zëvendëstrajneri i Flamurtarit në kohën e Shpëtim Duros. Beqiri arriti t’i jepte atë që donte skuadrës, mbi të gjitha frymën brenda saj, dhe rezultati është i qartë: ngjitje, për të pretenduar pse jo dhe më shumë. Në skuadër luan edhe  Nijas Lena, lojtar i Flamurtarit, Kukësit e Teutës në Superligë, një lider i vërtetë.

Projekti nuk mbyllet me kaq, sepse tek FC Struga kërkojnë më shumë: kualifikim në Europë. Mbështetje  financiare dhe seriozitet, janë këto dy gjërat kryesore që kompania Trim Lum kërkon. Ka treguar se suksesi arrihet me punë. Katër vite më parë FC Struga luante në kategoritë e ulta, por sezonin e ardhshëm do të jetë në grupin e skuadrave më të mira të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është FC Struga,që mbi të gjitha veç suksesit, shton edhe një tjetër skuadër shqiptarësh në elitë e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Për të përsëritur sukses dhe arritur Europën. Në katër vite bëri hapa galopante përpara, ndaj besimi ekziston që shumë shpejt mund të ketë të tjera suksese.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.