Ditën e enjte kryetari i grupit socialist në Këshillin Bashkiak të Beratit, Alban Gjoka, hodhi akuza të forta në drejtim të bashkisë, për shkak të mungesës totale të vlerësimit të aksioneve dhe transparencës në procesin e privatizimit të klubit, sipas tij.
Sot ka ardhur përgjigjja nga Alban Pambuku, drejtor i sporteve në Bashkinë e Beratit, i cili ka akuzuar për rrënim të sportit në Berat pikërisht Partinë Socialiste dhe ata njerëz që nuk duan privatizimin e klubit, për arsye të ndryshme.
Ja deklarata e plotë e zotit Pambuku, si përfaqësues i klubit Tomori:
“Futboll Klub Tomori është i indinjuar nga deklaratat e fundit të këshilltarëve të Partisë Socialiste në lidhje me dezinformimin e qytetarëve beratas, me lojërat e fjalëve: “shitje aksionesh apo privatizim”. Ne si klub duam të theksojmë se kemi të bëjmë vetëm me një hap të parë për sa i përket vlerësimit të aksioneve në transparencë të plotë për opinionin e gjerë publik. Ky vendim nuk është aspak i nxituar siç theksohet në deklaratat e tyre, por çdo gjë është në kohën e duhur, pasi klubi ndodhet në një periudhë që ka shlyer të gjitha borxhet dhe detyrimet e akumuluara që nga viti 2010-2015. Por, pa harruar që janë edhe dy kërkesa nga investitorë të mëdhenj, siç janë “Salillari Ltd” dhe “Mela Holding Grup”. Gjë që na shtyn edhe më shumë për t’i hapur rrugën këtij ngërçi shumë-vjeçar, për t’i dhënë Tomorit dhe qytetarëve të Beratit atë që meritojnë. Pa menduar për grada apo virtyte siç shprehen ata që: “do ta bëjmë në kur të vijmë”, por në qoftëse do të vijnë. Deri në atë kohë sipas llogarisë së tyre klubi dhe qytetarët do të presin tekën e radhës të këshilltarëve socialistë, të cilët mendojnë se janë pronarët e këtij qyteti.
Deklaratat e tyre janë tepër amatoreske dhe histerike. Por është edhe qesharake kur historia e themelimit të Tomorit në mendjen tuaj daton në vitin 1925, dhe jo 1923, ashtu siç është në realitet. Pra, Tomori nuk është 93-vjet klub, por mbi 95 vjet histori dhe lavdi.
Duam të shpjegojmë disa nga pikat që paditurisht pretendojnë se është ashtu dhe flasin për mediokritet në moton “shpif, shpif, se diçka do të ngel”.
Ata thonë se ngritja në Kategorinë e Parë është detyrë, ndërkohë që kur është marrë klubi, Tomori ishte në Kategorinë e Dytë dhe në mjerim. Siç dihet, klubi ka pasur edhe 250 milion lekë borxhe të akumuluara dhe kamatë-vonesa. Ku ka qenë kjo detyrë në atë kohë?
Akuzojnë se premtuam rregullimin e stadiumit e vjetër dhe se do të mbrojnë me fanatizëm tjetërsimin e këtij aseti. Duam të theksojmë se nuk mundemi të lëvrojmë asnjë projekt në atë ambient, vetëm të kryejmë stërvitje në ato kushte të mjera, pasi Kryeministri i vendit na ka hequr çdo të drejtë me arsyen se është bërë projekti “Qyteti i fëmijëve”, që do të jetë një qendër multifunksionale kreativiteti për fëmijët e qytetit. Në këtë mënyrë nuk kuptojmë se këta këshilltarë të këtij subjekti politik nuk dinë se çfarë po ndodh dhe shprehen në hartimet e tyre të radhës.
Kërcënojnë se do të kërkojnë informacion, pa e ditur se informacioni tashmë është i hapur në çdo media vizive apo të shkruar dhe për këtë jemi krenar, pasi që nuk kemi asnjë lloji detyrimi financiar ndaj FSHF, ISSSH, SHAUK, OSHEE, TATIMEVE,dhe çdo operatori të tretë.
Mendojnë se futbolli është “barrë” që duhet hequr qafe dhe nuk e shikojnë si sportin e një qyteti. Ndërsa mendojnë që këtë “barrë” ta heqin qafe (me ardhjen e tyre), duke mos e parë si një zgjidhje të shumëpritur nga qytetarët.
Akuzojnë për organikë të fryrë. Themi se është po e njëjta organikë që ka qenë dikur, edhe pse nga kërkesat e FSHF-së ne kemi shumë mangësi.
Për mos t’u zgjatur më tepër, Sporti është i qytetarëve dhe i tifozerisë. Tifozeri kjo që për gustot tuaja nuk është adapte, siç keni theksuar, por është ajo pjesë e shoqërisë që e ka ndjekur Tomorin në ditë të mirë dhe të keqe. Ndaj, ju themi që të mbani larg duart e përlyera me politikë nga sporti i këtij qyteti.