Vjen edhe momenti i prezantimit, Kukësi ka marrë në gjirin e tij edhe mbrojtësin Faton Xhemaili. Anësori i majtë ka nënshkruar për 2.5 vite, sikurse edhe kemi njoftuar më parë. Zyrtarisht është i verilindorëve, që mund të bëjnë edhe ndonjë lëvizje tjetër në vijim.
Xhemaili la skuadrën e Radnik Surdulica në Serbi dhe kërkon të tregojë sa vlen në Superiore. Futbollisti 20-vjeçar i bashkohet një skuadre që synon titullin kampion dhe sigurisht që është një hap përpara në karrierë.
Kukësi më parë ka blerë nga Luftëtari lojtarë cilësorë si Eduart Rroca dhe Vasil Shkurtaj. Xhemaili është afrimi i tretë i verilindorëve. Ndërkohë ka pasur edhe largime, pasi lojtarë si Harba, Ture, Zguro, Shpehar dhe Shkodra nuk do jenë pjesë e Kukësit në vazhdim.
Mbrojtësi i majtë ka thënë fjalët e para si kuksian për “SuperSport”, duke treguar arsyet se pse zgjodhi ekipin verilindor. Objektivat e tij janë të mëdha dhe Xhemaili shpreson të bëjë mirë me Kukësin për të matur forcat më pas në një kampionat më të fortë.
“Kjo është hera e parë që luaj në kampionatin shqiptar dhe personalisht ndihem shumë mirë që do të bëhem pjesë e Kukësit. Jam në një ekip që po lufton për titullin kampion dhe me Kukësin do luajmë në Europë. Konkurrenca? Në fillim e di që do të jetë e vështirë, por me punë mund të fitoj vendin në formacion. Shpresoj që nëpërmjet Kukësit do të arrij të transferohem në një kampionat të rëndësishëm europian dhe do të vazhdoj të jem pjesë e kombëtares”, përfiundon Faton Xhemaili.