Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e radhës. Një shkodran është rikthyer në vendlindje, duke përforcuar repartin e mesfushës. Akordi ishte arritur disa ditë më parë, madje lojtari ka kryer seancat e para stërvitore me kuqeblutë, ndërsa sot ka ardhur firma mbi kontratën 1-vjeçare dhe prezantimi.
Behar Ramadani, i cili ishte pjesë e Luftëtarit të Gjirokastrës katër sezonet e fundit, është rikthyer në Shkodër pas 6 vitesh. 29-vjeçari ka thënë fjalët e para për faqen zyrtare të klubit.
Ai nuk e fsheh kënaqësinë e madhe që do të kontribuojë për ekipin e zemrës, ndërsa nuk harron edhe vitet e bukura të kaluara me bluzinjtë e gurtë. Ramadani është gati për aventurën e re, teksa Vllaznia siguron një përforcim të rëndësishëm.
“Normalisht gjithmonë rikthimet janë të bukura, aq më tepër kur kthehem tek këto ngjyra me të cilat jam rritur. Tashmë nuk ka më kohë për fjalë, çdo gjë duhet t’ia lëmë kohës dhe t’i futemi punës dhe të mundohemi për të dhënë më të mirën për këtë fanellë dhe për qytetin.
Ndoshta ka qenë edhe çështje fati që nuk kam luajtur shumë në Shkodër. Tek Luftëtari ka qenë shtëpia ime e dytë, e kam kaluar shumë mirë, atje kam kaluar vitet më të bukura të karrierës time i kam kaluar në atë qytet të mrekullueshëm. Sa i takon Vllaznisë vërtetë që kam dhënë shumë pak për të, kështu erdhën rrethanat por shpresoj që këtë vit të jap më tepër dhe të arrijmë ato objektiva që ka klubi.
Tek Vllaznia shoh që ka ndryshime, ka ardhur trajner i ri, po vijnë lojtarë të rinj dhe ajo që mund të them unë është se do të jap maksimumin tim. Sa u takon tifozëve, ata jo këtë vit por historikisht kanë treguar se i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe ato gjithmonë kanë kërkuar me pasë një Vllaznia sa më të mirë, konkurrente për titull dhe jo më për pjesët e tjera të kampionatit”, është shprehur Ramadani për faqen zyrtare të klubit.