Ernest Gjoka u largua vjet nga Vllaznia pa u mbyllur kampionati dhe momentalisht nuk po drejton asnjë ekip. Sigurisht që do të donte të mos ishte në këtë situatë, por pret ofertën e duhur për t’u rikthyer në skenë. Gjithsesi kampionatin e ndjek rregullisht.
Në një intervistë të dhënë për “ABC News”, Gjoka flet për nisjen e kampionatit, pretendentët për titullin kampion, shkarkimin e Devollit nga Kamza dhe për lëvizjet e shumta që klubet bëjnë në ekipe gjatë merkatos.
NISJA E SEZONIT – “Kampionati ka nisur i zjarrtë, është diçka normale dhe në mentalitetin e kampionatit tonë. Të gjithë kampionatet në fillim janë shumë të forta, ndeshjet janë të egra dhe nuk ka shumë bukuri”.
PRETENDENTËT PËR TITULL – “Si gjithmonë pretendentë janë skuadrat elitare, si Kukësi, Flamurtari dhe Partizani. Por sigurisht shoh edhe një Teutë ndryshe dhe Skënderbeun pavarësisht nga rrjedhjet. Por mendoj që Skënderbeu vëmendjen kryesore e ka te vendimi që do të merret në CAS, që të shikojë se si do të jetë vazhdimësia”.
“Unë shikoj Që Flamurtari ka bërë ndërhyrje shumë. Ka një skuadër krejtësisht të re, ka një trajner kampion dhe që sigurisht ka një ego që ndoshta ky do të jetë pas pesë vitesh sezoni kur do të kthehen seriozisht te trofeu”.
LARGIMI I DEVOLLIT – “Nëse nuk ke pasur besim te një trajner që në krye të herës, pse e merr dhe e heq javën e tretë? Ti ndërton një skuadër të mirë dhe pastaj nuk ke besim te trajneri që merr. Një presidenti me vizion duhet të kuptojë se duhet të marrë një trajner dhe ky trajner të ketë stafin e tij, sepse këtu është një problem tjetër që trajnerët shpesh e kanë stafin e gjetur, ose një staf të bërë me mik”.
NDRYSHIMET E SHUMTA – “Kjo sigurisht që ndikon për keq. Një skuadër që të ketë rrugën e suksesit kërkon stabilitet. Pasqyrë më të mirë se Skënderbeu i këtyre shtatë viteve nuk kemi. Por ecim me një mentalitet që duam shumë shpejt të marrim maksimumin”.